KRYEFAQJA » LAJME » PS në referendum, Rama: Vendimarrje me rëndësi, Blushi: Asgjë nuk është reale dhe normale
Nis referendumi në PS, Rama: Vendimarrje me rëndësi, Blushi: Asgjë nuk është reale dhe normale

PS në referendum, Rama: Vendimarrje me rëndësi, Blushi: Asgjë nuk është reale dhe normale

PS forca më e madhe politike në Shqipëri po mban sot një referendum, i pari në llojin e tij për forcat politike në Shqipëri. Rreth 81 mijë socialistë janë ftuar të shprehen me “po” ose “jo” për pyetjen ”Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i Kryetarit?”. Në të gjithë vendin janë hapur 383 qendra votimi.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, njëherësh dhe kryeministri i vendit, duke votuar tha se “Kam besim se sot anëtarësia do të shfrytëzojë këtë instrument demokratik për t’u shprehur mbi një çështje të brendshme të PS. Partia Socialiste është një forcë transformuese jo vetëm në qeverisje por edhe në demokracinë aktive të brendshme. Ky është një moment i rëndësishëm sepse është hera e parë në këtë histori të pluralizmit që një parti i drejtohet referendumit dhe u jep mundësi të gjithë pjesëtarëve të familjes së saj për të qenë pjesë e një vendimmarrje me rëndësi” tha zoti Rama.

Kundërshtarët e këtij referendumi, më i spikaturi deputeti socialist Ben Blushi, e kanë konsideruar atë një farsë. Madje zoti Blushi në media të ndryshme është shprehur se po bëhen manipulime. “Një referendum ku asgjë nuk është reale dhe normale. Ku kutitë e votimit janë të mbushura pa filluar ende votimi. Një referendum ku socialisti i vërtetë nuk e gjen emrin, ose më saktë ku nuk ka lista zgjedhësish” citohet të ketë thënë ai nga media të ndryshme.

Përkrahësit e referendumi kanë bërë thirrje për pjesmarrje masive, ndërsa kundërshtarët për bojkot. Referendumi do të mbyllet në orën 16, ndërsa rezultati pritet të dali shumë shpejt.