KRYEFAQJA » LAJME » Nis verifikimi i pasurive i 775 gjyqtarëve dhe prokurorëve
Nis verifikimi i pasurive i 775 gjyqtarëve dhe prokurorëve

Nis verifikimi i pasurive i 775 gjyqtarëve dhe prokurorëve

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka nisur verifikimin mbi pasuritë e 775 gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që këta të fundit po vijojnë me deklarimin e pasurive të paluajtshme. Televizioni Publik Shqiptar disponon listën paraprake të ndarë në katër pjesë me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që tashmë janë në sitë e kontrolleve nga hipoteka. Ndonëse ky kontroll duhet të niste kur të përfundonte deklarimi, Zyra e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka përshpejtuar procedurat në mënyrë që procesi të mos tejzgjatet dhe të përfundoje sa më shpejt. Gjithashtu synohet që të shmangen ndryshimet e pronësisë nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Bie e në sy se në lista janë të pëfshirë edhe emrat e familjarëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që të vlerësohet se sa prona zotërojnë njerëzit e drejtësisë në emër të familjarëve të tyre. Lista përfshin gjithë kupolën e drejtësisë. Kryeprokurori Adriatik Llalla dhe familja e tij, krerët e gjykatave kryesore si Sandër Simoni apo Xhezair Zaganjori, anëtarët e KLD-së , si dhe familja e ish guvernatorit Ardian Fullani, pasi bashkëshortja e tij Arjana Fullani është anëtare e Gjykatës së Lartë. Në fund të verifikimit, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, do të dalë me një regjistër të plotë të pronave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.