KRYEFAQJA » LAJME » Nishani dekoron SHISH me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”
Nishani dekoron SHISH me "Dekoratën e Artë të Shqiponjës"

Nishani dekoron SHISH me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”

Shërbimi Informativ Shtetëror njoftoi të hënën se presidenti Bujar Nishani e ka dekoruar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Motivacioni që ka zgjedhur zotit Nishani është :“Për punën, përpjekjet, sakrificat dhe arritjet e vazhdueshme 25 vjeçare të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit në realizimin me guxim, qëndrueshmëri, besnikëri, përkushtim e vetmohim të detyrave të tyre ligjore; për forcimin e sigurisë së shtetit e qytetarëve të tij, si dhe për garantimin e suksesit të zhvillimit ekonomik, shoqëror, liberal e demokratik të vendit”. Dekorata është firmosur më 29 qershor të këtij viti dhe mban numrin e dekretit 9668, ndërsa cermonia është zhvilluar më 4 korrik. Por ajo është bërë e njohur vetëm më 18 korrik nga vetë SHISH, ndërsa në faqen e presidencës ende nuk është pasqyruar.
Në motivacion bie në sy se vlerësimi për SHISH shtrihet në harkun kohor të 25 vjetëve, që nga koha kur nisi reformimi i shërbimeve inteligjente shqiptare, pas një historie famëkeqe 50 vjeçare të Sigurimit të Shtetit të kohës së komunizmit. Shërbimi i ri u quajt fillimisht Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) dhe më vonë Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH). Gjithë kjo periudhë është shoqëruar me vlerësime kontradiktore të shërbimeve inteligjente shqiptare, në varësi edhe të forcave politike në pushtet. Ato janë akuzuar për përfshirje në ngjarje që kanë marrë vlerësime të ndryshme sipas interesave të politikës. SHIK është akuzuar veçanërisht për përfshirje në trazirat aociale që shoqëruan Shqipërinë pas rënies së skemave piramidale në vitin 1997, kur në pushtet ishin demokratët, si dhe trazirat pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari në shtator të vitit 1998 kur në pushtet ishin socialistët.
Me rastin e dekorimit nga presidenti,  vetë zyrtarët e lartë të SHISH, vlerësojnë se “të gjithë punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), drejtues njësish dhe inspektorë, kanë qënë dhe janë të angazhuar në zbatimin e prioriteteve të miratuara nga Qeveria shqiptare dhe përmbushjen me profesionalizëm të të gjitha detyrave të dala për këtë qëllim, sipas drejtimeve të ndryshme.Vlerësohet se këto detyra janë kryer në mënyrë korrekte, duke parandaluar veprime dhe situata që mund të cënonin Sigurinë Kombëtare të vendit”.