KRYEFAQJA » LAJME » Nishani dekreton shkarkimet, por jo emërimet e kërkuara nga Rama
Nishani dekreton shkarkimet, por jo emërimet e kërkuara nga Rama

Nishani dekreton shkarkimet, por jo emërimet e kërkuara nga Rama

Presidenti Bujar Nishani, ka dekretuar shkarkimin e Ministrit të Financave Shkëlqim Cani si dhe shkarkimin e Arben Ahmetaj si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Dekretet përkatëse janë botuar në faqen e internetit të presidencës, www.president.al. Por zoti Nishani nuk ka dekretuar  emërimin e zotit Ahmetaj si Ministri i Financave dhe zonjës Milva Ikonomi si Ministre e  Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Ende nuk është e qartë se përse presidenti nuk ka dekretuar emërimet e kërkuara nga kryeministri Rama, por tashmë kabineti qeveritar ka dy ministra më pak, të paktën përkohësisht. Komentet e para kanë lidhje me marrëdhëniet e tensionuara mes presidentit dhe kryeministrit, veçanërisht pas replikave lidhur me pritjen ekstraprotokollare që zoti Nishani i bëri sekretarit amerikan të shtetit Xhon Kerri me rastin e vizitës së tij në Shqipëri të dielën e kaluar. Komentet të tjera e lidhin me vlerësimin kundërshtues që opozita po u bën ndryshimeve në qeveri dhe zoti Nishani, i cili është zgjedhur në postin e presidentit me votat e PD, vazhdimisht ka qenë në krah të saj.  Në planin e funksionimit të institucioneve, mungesa e dy ministrave të rëndësishëm të kabinetit Rama pa dyshim që do të krijojë probleme.