KRYEFAQJA » LAJME » Nishani: Gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend!
Nishani: Gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend!

Nishani: Gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend!

Presidenti Bujar Nishani ka dalë të dielën në një konferencë të pazakontë shtypi. Tema e saj ishte lidhur me emërimet dhe shkarkimet e fundit, të propozuara për në Këshillin e Ministrave, por edhe situata politike në vend. Zoti Nishani tha se gjithshka ndodh në një situatë politike shumë të tensionuar dhe kur pritet të nisi fushata për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai vendosi në fokus veçanërisht ndryshimin në ministrinë e brendshme e cila tha se ka një rol parësor në administrimin e procesit zgjedhor. Presidenti u ndal në kandidaturën e propozuar nga kryeministri Rama, duke e cilësuar të papërshtatshme. Por sipas zotit Nishani “Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht që përcakton Kushtetuta për të qenë ministër është ai i plotësimit të kritereve për të qenë deputet”. “Unë besoj dhe shpresoj që ai institucion, të cilit Kushtetuta ia njeh këtë të drejtë për të vlerësuar kandidaturat për ministër, që është Kuvendi i Shqipërisë, do të gjykojë e do të vlerësojë të gjitha rrethanat, situatën politike dhe specifikën që ka jeta shoqërore, publike e politike e vendit, që janë zgjedhjet e ardhshme politike” tha zoti Nishani.
Por më shumë se vlerësimi për ndryshimet në qeveri, në konferencën e shtypit të zotit Nishani ra në sy gadishmëria e tij për të negociuar në zgjidhjen e krizës mes palëve. Kur u pyet lidhur me kërkesën këmbëngulëse të opozitës për qeveri teknike, zoti Nishani tha se “Kjo është një çështje që zgjidhet vetëm në tryezën e partive politike nëse do të ketë një dakordësi të palëve për një qeveri teknike”. “Nëse palët kërkojnë që kjo tryezë e bisedimeve dhe e negociimit të lehtësohet nga Presidenti i Republikës, Presidenti i Republikës është dhe do të jetë gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend pa ndërhyrë asnjëherë dhe pa imponuar asnjë qëndrim të asnjërës prej palëve politike në vend” shtoi ai. “Ajo që unë do t’u bëja thirrje të gjithë aktorëve vendmarrës do të ishte për të gjetur gjuhën e përbashkët për ta ulur këtë tension të lartë politik dhe për të mos e kaluar vendin në një situatë krize politike” tha më tej zoti Nishani.
Presidenti si dhe më parë ka përsëritur gadishmërinë e tij për rivlerësuar një propozim për të rikandiduar në postin e kreut të shtetit. “Nëse do të ketë një propozim të tillë do ta gjykoj në kontekstin e realizimit, të arsyes dhe vullnetit politik. Dhe patjetër, nëse do të jetë i adresuar me qëllim për të marrë përgjegjësi politike, do të vijoj të mbetem me shprehjen e gatishmërisë” tha ai.