KRYEFAQJA » LAJME » Nishani homazhe në Paris
Nishani homazhe në Paris

Nishani homazhe në Paris

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili po merr pjesë në Takimin e Udhëheqësve Botërorë për Ndryshimet Klimatike të mbajtur në Paris, bënë homazhe në Bulevardin “Volter”, në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 13 nëntorit në sallën e koncerteve të Teatrit Bataclan. Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë pasi u pritën nga autoritetet vendore të Bashkisë 11 të Parisit, vendosën një buqetë me lule dhe mbajtën një minutë heshtje në kujtim të viktimave të pafajshme. Ata u solidarizuan me parizienët dhe mbarë qytetarët e Francës, duke dënuar ashpërsisht aktet barbare terroriste që morën jetët e 130 njerëzve dhe plagosën edhe disa qindra të tjerë në kryeqytetin francez.
Prsidenti shqiptar tha se “mbarë bota është solidare me këtë vend të gatshëm për të reaguar në mënyrë të përbashkët ndaj këtyre krimeve makabre dhe për të treguar se liria është mbi gjithçka dhe bota e qytetëruar nuk do të mundet dhe nuk do të dorëzohet përpara asnjë akti, asnjë grupi dhe asnjë veprimi që synon të thyejë civilizimin, të ndryshojë mënyrën e jetesës sonë e cila funksionon mbi bazën e lirisë”. “Liria, do të mbetet gjithmonë e shenjtë dhe bota e civilizuar do të shkojë gjithmonë e më përpara” tha presidenti shqiptar Bujar Nishani.