KRYEFAQJA » LAJME » Nishani i drejton mesazh urimi Papa Françeskut
Nishani i drejton mesazh urimi Papa Françeskut

Nishani i drejton mesazh urimi Papa Françeskut

Tre vjetori i zgjedhjes së Papa Françeskut I në krye të Kishës Katolike, e ka shtyrë presidentin Nishani t’i drejtojë një mesazh urimi Atit të Shenjtë ku i përcjell urimet më të mira e të përzemërta, si dhe i uron jetë të gjatë e plot shëndet në përmbushje të misionit të tij hyjnor.
Zoti Nishani i shpreh Atit të shenjtë mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që, “Shenjtëria Juaj dhe Kisha Katolike në Shqipëri, i kanë dhënë popullit shqiptar në kapërcimin e vështirësive shpirtërore, sociale e ekonomike”. “Shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, shkruhet më tej në mesazh, i ruajnë ende të freskëta mbresat nga vizita Juaj në Shqipëri, dy vjet më parë, si dhe i kujtojnë me dashuri mesazhet Tuaja inkurajuese për rritjen e shpresës brenda dhe mes tyre”.
Duke ju referuar zhvillimeve në vende e rajone të ndryshme të botës që sipas presidentit Nishani fatkeqësisht kanë qenë dramatike, për fat njerëzimit “nuk i kanë munguar mesazhet shpresëdhënëse të Shenjtërisë Suaj, për më shumë dashuri, mirënjohje, solidaritet e dhembshuri, si dhe për më shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri ndaj tokës që Zoti na ka besuar”. “Jam i sigurt se, mesazhet e Shenjtërisë Suaj për mospërdorimin e fesë si pretekst për veprime kundër dinjitetit njerëzor e të drejtave themelore të çdo njeriu për jetën dhe besimin, janë mirëpritur edhe nga shqiptarët, falë traditës së tyre shumëshekullore të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare” vlerësohet në mesazhin e presidentit Nishani drejtuar Papa Françeskut I.