KRYEFAQJA » LAJME » Nishani: Krijimi i KED në vështirësi, ftoj partitë të bashkëpunojmë
Nishani: Krijimi i KED në vështirësi, ftoj partitë të bashkëpunojmë

Nishani: Krijimi i KED në vështirësi, ftoj partitë të bashkëpunojmë

Presidenti Bujar Nishani është përfshirë në debatet për Reformën në Drejtësi, duke shprehur kënaqësinë për miratimin me konsensus të plotë të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa ka nënvizuar shqetësimin se zgjedhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është vënë në vështirësi për shkak të boshllëqeve ligjore.
Në një dalje për mediat të enjten në mesditë, zoti Nishani kujtoi se ndryshimet kushtetuese të miratuara më 21 korrik, hyjnë në fuqi më 11 gusht. Sipas tyre presidenti ngarkohet të zgjedhë përmes shortit anëtarët e KED brenda 5 ditëve. Por zoti Nishani shprehu shqetësimin për mungesën e ligjit për të përcaktuar kriteret e anëtarëve të KED. Ai ftoi me këtë rast në një takim konsultativ përfaqësuesit e grupeve parlamentare. “Nuk ka ligj për të përcaktuar kriteret e anëtarëve të Këshillit të Emërimit në Drejtësi. Brenda 16 gushtit duhet të bëj përzgjedhjen me short të anëtarëve. Jam në kontakt me Kuvendin për këtë shqetësim. Ftoj në takim konsultativ përfaqësues nga grupet parlamentare. Ftesa për grupet parlamentare të martën në orën 11:00″ tha zoti Nishani.
Presidenti këmbënguli se “Miratimi me konsensus është garanci se zbatimi i reformës do jetë afatgjatë dhe do të mbahet larg nga kthimi i një beteje mes palëve politike”. Ai tha se “pritshmëria më e madhe e popullit shqiptar është të shohim sa më parë përpara drejtësisë, ligjit, të togave të zeza e politikanëve të korruptuar. Të shohim sa më parë sekuestrimin e pronave dhe pasurive të paligjshme të politikanëve, vendimarrësve dhe menaxherëve të pasurive publike të korruptuar. Jam i bindur që njerëzit këtë duan e mezi presin ta shohin sa më shpejt” tha presidenti Nishani.
Ai garantoi se “se presidenti do të jetë një zë shumë i fortë publik për të inkurajuar gjyqtarët e prokurorët e ndershëm të bëjnë punën e tyre, për të denoncuar rastet e shmangies nga integriteti që kërkon Kushtetuta e ligji i gjyqtarëve e prokurorëve apo i kapjes politike prej tyre, ashtu dhe i denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe inkriminimit”. “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është objektivi kryesor i kësaj reforme”, nënvizoi zoti Nishani.
Në dalejn e tij para shtypit, presidenti gjeti rastin të sqaronte edhe mosmarrëveshjet me PS mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Dibrës. “Data e zgjedhjeve përcaktohet automatikisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti ka vetëm dekretin e shpalljes formale. Gjykata me vendimin e datës 1 gusht përcaktoi si dy të diela të mudshme, 4 shtatori dhe 11 shtatori. Gjykata e detyron presidentin që brenda 48 orësh të shpallë datën, nëse nuk do ta shpallte do ishte shkelje e kodit zgjedhor. Gjykova që data më e largët për shkak të sezonit ishte 11 shtatori, ndaj e shpalla. Nëse do të pritej botimi në Fletoren Zyrtare shkelet kodi zgjedhor” tha presidenti Nishani.