KRYEFAQJA » LAJME » Nishani kthen ligjin: Drejtori i RTSH të zgjidhet me konsensus
Nishani kthen ligjin: Drejtori i RTSH të zgjidhet me konsensus

Nishani kthen ligjin: Drejtori i RTSH të zgjidhet me konsensus

Presidenti Bujar Nishani i ka kthyer parlamentit për diskutim ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë””, i miratuar nga parlamenti në mesin e muajit mars.
Duke spjeguar arsyet e këtij vendimi zoti Nishani mendon se zgjidhja e dhënë për evituar bllokimin e zgjedhjes së titullarit të RTSH, “…krijon premisat e zgjedhjes së një personi të parapëlqyer nga mazhoranca në KDRTSH, i cili gëzon votbesimin e supermazhorancës parlamentare”.
Presidenti vlerëson se “zgjedhja e Drejtorit të RTSH-së është e domosdoshme, por pa u cënuar pavarësia e RTSH-së, që mund të ndikohet nga një drejtor politik që nuk është produkt i kompromisit mes anëtarëve të KDRTSH-së të mbështetur nga forcat përkatëse politike” . Sipas tij “…mazhoranca politike duket se ka gjetur një zgjidhje përmes ligjit të ri, që thyen konsensusin që duhet të arrihet për të garantuar pavarësinë e RTSH-së”.
Presidenti Nishani gjykon se “Pragu i duhur i votave që duhet të vendoset për emërimin apo lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, duket se është më tepër një çështje politike sesa një çështje kushtetuese dhe ligjore. Por, referuar parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve dhe lirisë së medias dhe si rrjedhojë pavarësisë së RTSH-së, një çështje e tillë nuk është thjesht politike, por kthehet edhe në kushtetuese”. Kreu i shtetit kujton se “Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë për reformën në drejtësi në drejtim të zgjedhjes së organeve/zyrtarëve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ka konfirmuar se: “shumicat e cilësuara normalisht kërkohen në fusha më të ndjeshme sidomos në zgjedhjen e zyrtarëve të institucioneve shtetërore” .
Zoti Nishani kujton se “Me qëllim që të garantohej ndalimi i censurës paraprake të mjeteve të komunkimit dhe të arrihej objektivi i lirisë së medias dhe pavarësisë së RTSH-së, gjë e kërkuar nga Bashkimi Evropian, u dakordësua mes forcave politike në vitin 2013 që zgjedhja e një zyrtari të tillë të bëhej me 2/3 e votave të KDRTSH-së. Kjo është dakordësuar së fundi mes raporterit Fleckenstein dhe deputetëve të tjerë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku kërkohet që Drejtori i RTSH-së të jetë konsensual”. “Zgjidhja e gjetur përmes ligjit 22/2016, jashtë çdo konsensusi mes forcave politike, duket se dëmton rëndë lirinë dhe pavarësinë e medias të garantuar me Kushtetutë dhe të kërkuar me forcë nga faktori ndërkombëtar. Respektimi i konsensusit është garant i stabilitetit, ndërsa thyerja e këtij konsensusi në mënyrë të njëanshme dhe të papritur dëmton rëndë themelet e Shtetit dhe nxit destabilizim” çmon zoti Nishani.
Në argumentet që e kanë shtyrë ta kthejë këtë ligj në parlament presidenti ju referohet edhe disa mospërputhejve logjike si dhe cënimit të sigurisë juridike. Kreu i shtetit këmbëngul se “zgjidhje fundore në ligj që garanton edhe zgjidhjen konsensuale të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së”.