KRYEFAQJA » LAJME » Nishani kthen ligjin për turizmin
Nishani kthen ligjin për turizmin

Nishani kthen ligjin për turizmin

Presidenti Bujar Nishani ka rikthyer për shqyrtim në  parlament Ligjin për Turizmin. Ndër arsyet zoti Nishani ka shënuar se ligji lejon përdorimin e fondeve pa respektuar rregullat e prokurimit publik. Po sipas tij  ligji nuk respekton të drejtën kushtetuese të pronësisë, sikundër cënon edhe sigurinë juridike pasi nuk tregohet mënyra rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit pronën shtetërore.
Ligji për Turizmin, u miratua pak ditë më parë në një seancë të posaçme parlamentare, ku pati debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Qeveria synon që më këtë ligj të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, të krijojë vende të reja pune, të kontribuojë në uljen e varfërisë dhe të ofrojë mundësi fitimi në rritje.
Sipas ligjit shqiptar presidenti ka mundësi vetëm një herë t’ja kthejë ligjet parlamentit për rishqyrtim. Ndaj është e qartë se ky hap i hedhur nga zoti Nishani vetëm do të vonojë hyrjen e ligjit në fuqi, pasi qeveria i ka votat për ta miratuar atë. Miratimi pritet të bëhet në seancat e para të sesionit parlamentar të vjeshtës.