KRYEFAQJA » LAJME » Nishani: Ligji i pronave në Gjykatën Kushtetuese
Nishani dekreton emerimet e kërkuara nga Rama

Nishani: Ligji i pronave në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti shqiptar Bujar Nishani, duket se ka vendosur të luftojë deri në fund për të hedhur poshtë ligjin e pronave të miratuar nga maxhoranca e majtë. Dy ditë pasi kjo maxhorancë rrëzoi dekretin e tij në parlament, dekret që kërkonte rishqyrtimin e ligjit, zoti Nishani ka njoftuar të shtunën se do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i cili është zgjedhur në kohën kur në maxhorancë ka qenë djathta, këmbëngul se ligji është antikushtetues. Sipas zotit Nishani ligji cënon parimet bazë të sigurisë juridike dhe barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut, bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut. Presidenti kujton se ligji në fjalë ka impakt madhor tek qytetarët dhe është një nga prioritetet kyç për hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe BE-së.
Dy vjet nga ardhja e së majtës në pushtet, konfliktet midis saj dhe presidentit kanë qenë të shumta. Zoti Nishani i ka kthyer mjaftë ligje qeverisë Rama, por mundësinë e tij për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese e ka zhfrytëzuar shumë pak. Rasti i fundit ka qenë në vitin 2014 për ligjin e KLD, kur Gjykata Kushtetuese  hodhi poshtë kërkesën e zotit Nishani.