KRYEFAQJA » LAJME » Nishani në Sarajevë bën thirrje për rritjen e bashkëpunimit ballkanik
Nishani në Sarajevë bën thirrje për rritjen e bashkëpunimit ballkanik

Nishani në Sarajevë bën thirrje për rritjen e bashkëpunimit ballkanik

Në përmbyllje të vizitës shtetërore që zhvilloi në Bosnje dhe Hercegovinë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dha një pritje në Sarajevë. Në të morën pjesë miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve si ish-presidentë, ministra, deputetë, diplomatë, drejtues të bashkësive fetare, ushtarakë, intelektualë, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Adriatik Llalla si dhe mjaft bashkëatdhetarë që jetojnë e punojnë në kryeqytetin boshnjak.

“Vizita ime dhe e delegacionit të lartë nga Shqipëria në Bosnje dhe Hercegovinë, është një shenjë e qartë e vullnetit tonë të padiskutueshëm për zhvillimin e marrëdhënieve sa me të mira në mes të dy vendeve tona” tha zoti Nishani. “Bashkëpunimi në rajonin tonë është imperativë kohe dhe i domosdoshëm për të gjithë popujt qe jetojnë ne ketë pjesë të Evropës” shtoi ai. “Rajoni ynë në përgjithësi, dhe sidomos vendi juaj i mrekullueshëm Bosnje dhe Hercegovina si dhe Kosova, në fundshekullin që lamë pas, kanë kaluar nëpër tmerre dhe stuhi të paimagjinueshme nga etja për dominim nga të tjerët si dhe nga intoleranca e paparë” vlerësoi presidenti Nishani.
“Askush më mirë se ju nuk mund ta dijë se çfarë do të thotë qe njeriu të mos jetë i sigurtë në fqinjët e tij të parë, në atë me të cilin ka kaluar fëmijërinë dhe rininë, në atë me të cilin kanë thurur edhe ëndrra për një jetë me të mirë, por të cilat u ndërprenë ne mes nga luftërat dhe tmerri që ndodhi. Mjafton t’i hedhim një sy ‘Memorialit’ për fëmijët e vrarë në Sarajevë, dhe çdo gjë bëhet edhe me çartë se sa duhet te jemi te përgjegjshëm për fatet dhe të ardhmen e popujve dhe vendeve tona. Askush me mirë se sa ata qe e kanë kaluar në kurrizin e tyre nuk mund ta dijë se çfarë do të thotë lufta dhe dhuna”, theksoi Presidenti.
Presidenti Nishani vuri në dukje se: “Fryma e solidaritetit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë duhet të jetë rruga jonë e përbashkët, për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, shpresoj dhe besoj që edhe qytetaret e Bosnjës si dhe ata te Kosovës, do të kenë mundësi të udhëtojnë në vendet reciproke pa pengesa si fqinj të mirë dhe të qarkullojnë lirshëm mallrat dhe njerëzit ne këto dy vende, por edhe të njihen dokumentacionet e lëshuara nga institucionet e të dyja shteteve. Rruga e vendeve tona është e qartë dhe e padiskutueshme drejt integrimeve Euro-Atlantike dhe Bashkimit Evropian. Integrimi i të gjithë rajonit tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, e bën Ballkanin me të sigurt, e bën Evropën me të qetë dhe më të integruar”.
Duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm, Kreu i Shtetit u shpreh se ndihej krenar për bashkëkombësit e tij që kanë jetuar, jetojnë dhe punojnë në Bosnje dhe Hercegovinë. “Në Sarajevë, në këtë qytet të mrekullueshëm dhe me tradita kulturore kanë lindur personalitete te njohura shqiptare si: aktori me famë botërore Bekim Fehmiu si dhe aktorja jonë e njohur Tinka Kurit. Në komunën hebree të Sarajevës ka lindur përkthyesi dhe intelektuali ynë i shquar Robert Shvarci. Këtu ka shkruar At Gjergj Fishta, një pjesë të kryeveprës së tij ‘Lahuta e Malësisë’. Në Bosnje dhe Hercegovinë gjen qytetarë me origjinë shqiptare, nga mësues ne klasë te parë deri në akademikë, rektorë e pronarë universiteti, aktorë e ushtarakë, gjen nga tregtari i vogël e deri te sipërmarrësit e mëdhenj. Shqiptarët i gjen në çdo cep të Bosnjë dhe Hercegovinës si qytetarë dinjitozë,
punëtorë dhe krenarë me identitetin e tyre kombëtar shqiptar, por edhe me atë të qytetarit dinjitoz të vendit ku jetojnë, Bosnje dhe Hercegovinës. Në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës sot e kemi edhe shtatoren e Nënë Terezës, nënës tonë shqiptare, si simbol të paqes, humanizmit dhe dashurisë njerëzore. Gjatë ditëve më të vështira për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, shqiptarët që jetonin këtu, për asnjë çast të vetëm nuk e ndanë fatin e tyre nga fati i të gjithë qytetarëve të tjerë duke paguar atë edhe me jetën e tyre. Ne, shqiptarët, nuk kemi asnjë varr të vetëm në vendet fqinje – që të kemi shkuar për të pushtuar dikë, por kemi gjithandej varre ku kemi dhënë jetën duke mbrojtur me jetën tonë vendin ku kemi jetuar, në shenjë respekti dhe mirënjohje për vendin dhe popullin ku kemi zhvilluar jetën tonë dhe familjet tona. Prandaj ndihem shumë herë krenar për shqiptaret e Bosnjë – Hercegovinës.”
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë ende të paeksplouara të bashkëpunimit ekonomik dhe atij në fushën e turizmit, Presidenti Nishani theksoi se: “Viteve të fundit, dy vendet tona kanë njohur një dinamikë te zhvillimeve pozitive ne të gjitha fushat e jetës. Në rajonin tonë shumë paragjykime kanë ndodhur dhe ndodhin nga mosnjohja nga afër në mes popujve tanë. Edhe pse jetojmë shumë afër me njëri tjetrin, Sarajeva dhe Tirana janë vetëm 380 km larg, ne njihemi shumë pak mes nesh. Dinamika e fundit në zhvillimit e turizmit mes të dy vendeve tona ka treguar se sa afër jemi dhe sa shumë të përbashkëta kemi. Ambasada jonë në Sarajevë gjatë funksionimit të saj këtu, Bashkësia shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë, por së fundi edhe Shoqata e Miqësisë boshnjako-hercegovinase–shqiptare, kanë dhënë një impuls të madh në zhvillimin e turizmit dhe të bashkëpunimit ekonomik si dhe të njohjes sa më të mirë mes nesh. Turizmi mes vendet tona nuk është konkurrues, por komplementar dhe kjo gjë krijon hapësira të pafundme bashkëpunimi. Turizmi ynë veror me një bregdet te mrekullueshëm në Adriatik dhe Jon, si dhe turizmi i juaj dimëror me pista olimpike për ski dhe resorte të mrekullueshme dimërore, janë asete jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë Ballkanin dhe me gjerë. Të ndikojmë të gjithë se bashku që turizmi të njohë një zhvillim sa më të madh ne mes të vendeve tona.”
Në mbyllje të fjalës së Tij, Presidenti u shpreh: “Këtu përveç bashkatdhetarëve të mi shqiptar janë edhe shumë miq vendas, boshnjak, kroat, serb, hebrenj dhe të komuniteteve të tjera, janë shumë biznesmenë vendorë që bashkëpunojnë me biznesmenët në Shqipëri. Ju ftoj të gjithëve së bashku që të kontribuojmë sa më shumë në zhvillimin ekonomik dhe të biznesit mes vendeve tona në veçanti, dhe rajonit në përgjithësi. Në Shqipëri dhe tek populli shqiptar në përgjithësi,do të gjeni një atmosferë miqësore dhe vëllazërore”.

Marrë nga faqja web president.al

Para Mbrapa

 

Presidenti Nishani ne Sarajeve 8
Presidenti Nishani ne Sarajeve 6
Presidenti Nishani ne Sarajeve 9
Presidenti Nishani ne Sarajeve 10
Presidenti Nishani ne Sarajeve 7
Presidenti Nishani ne Sarajeve 11
Presidenti Nishani ne Sarajeve 12
Presidenti Nishani ne Sarajeve
Presidenti Nishani ne Sarajeve 1
Presidenti Nishani ne Sarajeve 2

Presidenti Nishani ne Sarajeve 3

Presidenti Nishani ne Sarajeve 4

Para Mbrapa