KRYEFAQJA » LAJME » Nishani në Sarajevë: Njihni pavarësinë e Kosovës!

Nishani në Sarajevë: Njihni pavarësinë e Kosovës!

Presidenti shqiptar Bujar Nishani, u ka kërkuar autoriteteve më të larta të Bosnje – Hercegovinës, të rishikojnë qëndrimit e këtij vendi për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të të dy vendeve përmes njohjes së dokumenteve reciproke. Zoti Nishani i cili nisi të mërkurën një vizitë në Sarajevë, i siguroi bashkëbiseduesit se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte një kontribut shumë i qenësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.
Presidenti shqiptar në konferencën e përbashkët me kryesuesin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Dragan Čović, i kushtoi një vemendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Ai përshëndeti kuadrin e përbashkët ligjor në fuqi, duke theksuar nevojën e nxitjet së intstitucioneve të të dy vendeve për të eksploruar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit, si në aspektin dypalësh ashtu edhe të përfshirjes në projektet rajonale, veçanërisht energjetike dhe të infrastrukturës. “Eshtë shumë e rëndësishme përfshirja e të gjitha vendeve pa përjashtim, si dhe krijimi i lehtësirave të komunikimit mes qytetarëve të vendeve të rajonit” tha zoti Nishani. Në këtë kontekst, presidenti shqiptar përshëndeti iniciativën e Bosnje dhe Hercegovinës për të organizuar këtë vit Samitin e Krerëve të Shteteve të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, ku edhe Kosova është e pranishme.
Nga përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës u premtua që shumë shpejt do të gjendej një zgjidhje për njohjen e dokumenteve të Kosovës, duke premtuar mbajtjen e një takimi me përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Podgoricë të Malit të Zi.