KRYEFAQJA » LAJME » Nishani në Zagreb: Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet luftën kundër terrorizmit
Nishani: Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet luftën kundër terrorizmit

Nishani në Zagreb: Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet luftën kundër terrorizmit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë  në Samitin e jashtëzakonshëm të Krerëve të Shteteve të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, zhvilluar në Zagreb të Kroacisë. Samiti u thirr nga Presidentët e Kroacisë e Sllovenisë, me synim forcimin e dialogut strategjik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, si dhe rikthimin e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara në rajonin tonë në këto momente sfidash e kërcënimesh.
Të ftuar të veçantë në këtë Samit ishin: Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden; Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk; si dhe Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer.
Samiti u fokusua në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit, të krizës së migracionit nga vendet në konflikt, si dhe të rivitalizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e mbajtur, Presidenti Nishani shprehu shqetësimin për zhvillimet ndërkombëtare pas sulmeve terroriste të Parisit dhe i konsideroi ato si kambana të forta alarmi. Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se, për shkak të këtyre zhvillimeve dhe vulnerabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rivlerësojnë prezencën, ndihmën dhe veprimet konkrete në këtë rajon.
Ndërsa lidhur me luftën kundër terrorizmit, Presidenti Nishani u shpreh ndër të tjera se: Shqipëria ka mbështetur dhe është në favor të konkretizimit të iniciativës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit, platformë e iniciuar gjatë Presidencës shqiptare të SEECP-së dhe që është parë me interes edhe nga Këshilli i BE-së dhe Vendet Anëtare në takimin me Këshillin kundër Terrorizmit, më 20 nëntor 2015.
Kreu i Shtetit u ndal në fjalën e tij edhe në procesin e zgjerimit, duke iu bashkuar konkluzionit të bashkë-organizatorëve të këtij Samiti, për rivitalizimin e procesit të zgjerimit dhe konsiderimin e tij si një proces politik dhe jo thjesht teknik, konkluzion ky që u reflektua edhe në konkluzionet finale të Samitit.
Në kuadrin e këtij aktiviteti, Presidenti Nishani zhvilloi biseda të veçanta me Zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Biden, me Presidentin e Këshillit Evropian Tusk, me Presidentin e Austrisë Fischer si dhe me homologët e rajonit të Evropës Juglindore, duke ndarë me ta shqetësime dhe vlerësime për situatën në Shqipëri dhe në rajon.
Zëvendëspresidenti amerikan Biden në fjalën e tij e konsideroi Shqipërinë një lider në rajon për kundërterrorizmin.
Në fund të Samitit krerët e shteteve të procesit të Brdo-Brijunit, së bashku me të ftuarit e posaçëm miratuan konkluzionet përkatëse.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës

Të nderuar bashkë-organizatorë të këtij Samiti të Jashtëzakonshëm, President Kitaroviç dhe President Pahor,
I nderuar President Tusk,
I nderuar President Fischer,
I nderuar Zëvendëspresident Biden,
Të nderuar kolegë të Procesit të Brdo-Brijunit,
Zonja dhe Zotërinj,

Që në fillim dëshiroj të përshëndes dhe shpreh mirënjohjen për prezencën shumë domethënëse të Zëvendës Presidentit të Shteteve të Bashkuara Biden, Presidentit të Këshillit Evropian Tusk dhe Presidentit të Austrisë Fisher, prezencë e cila në këto momente që vendet tona kalojnë na inkurajon dhe na jep besim për të ardhmen tonë euroatlantike.

Gjithashtu, një falënderim të veçantë dëshiroj ta bëj edhe për dy kolegët tanë të nderuar, Presidenten e Kroacisë Kitaroviç dhe Presidentin e Sllovenisë Pahor, që bënë të mundur realizimin e këtij samiti të jashtëzakonshëm dhe ruajtjen e vëmendjes ndaj rajonit të Evropës Juglindore dhe vendeve tona, të Ballkanit Perëndimor.

Faleminderit Kolinda dhe Borut, për organizimin, si dhe mikpritjen e shkëlqyer.

Të nderuar kolegë,

Në qershor ne ramë dakord për një bashkërendim me Bashkimin Evropian në funksion të një qasje të re të procesit të zgjerimit. Por, pas akteve terroriste të 13 nëntorit në Paris, Evropa ka ndryshuar. Takimi i sotëm ngjan si të gjitha aktivitetet e larta politike e veprimet e pas 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, kur shumëçka ndryshoi.

Aktet e urryera terroriste dhe ekstremiste të Parisit, që u rrekën të godasin një nga vlerat më të çmuara, si liria, përtej tronditjes dhe solidaritetit njerëzor për jetët e humbura, janë një kambanë e fortë alarmi për bashkim. Bashkimi i të gjitha forcave dhe energjive kundër së keqes. Më 13 nëntor, terroristët e Daech/ISIS sulmuan jo vetëm Francën por mbarë Evropën dhe vlerat tona të përbashkëta.

Prandaj dhe prioritet parësor i vëmendjes sonë sot është çështja e sigurisë dhe lufta kundër terrorizmit. Terrorizmi kërkon të na trembë dhe na përçajë, por ne sot jemi solidarë me Francën dhe krah për krah njëri-tjetrit kundër Daech/ISIS dhe çdokujt e gjithkujt që frymëzon, organizon, mbështet dhe sponsorizon terrorizmin ndërkombëtar.

Kërcënimet ndaj sigurisë dhe vlerave tona, na bëjnë më të vëmendshëm dhe vigjilentë, por edhe më bashkëpunues dhe bashkërendues, për t’i përballur e luftuar me sukses ato.

Rajoni ynë, i Ballkanit Perëndimor, gjatë viteve të fundit, ka bërë një progres të dukshëm, duke lënë pas të shkuarën konfliktuale dhe dita-ditës ka rritur frymën e mirëkuptimit dhe të dialogut. Me kënaqësi konstatojmë se agjendat tona janë orientuar drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët, në dobi të qytetarëve tanë.

Por pavarësisht këtyre rezultateve, dëshiroj të theksoj gjithashtu se, për shkak të zhvillimeve më të fundit në nivel ndërkombëtar, të kërcënimeve terroriste e të valëve migratore nga vendet në konflikt, e të tjera, siguria jonë individuale dhe kolektive është seriozisht e rrezikuar.

Informacionet na bëjnë të besojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor, janë realisht të kërcënuara nga elementë e veprimtari terroriste dhe ekstremiste, dhe mendoj se kjo situatë nuk mund të kapërcehet pa ndihmën e vendeve dhe organizatave partnere. Për këtë arsye gjykoj se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rivlerësojnë prezencën, ndihmën dhe veprimet konkrete në këtë rajon. Kur vende si Franca, një nga themelueset e BE-së dhe NATO-s goditet dhe kur BE me struktura shumë të specializuara ndihet e kërcënuar, vendet tona të Ballkanit Perëndimor, shumë më pak të zhvilluara dhe me probleme të thella ekonomike dhe shtet-ndërtuese janë edhe më të papërgatitura.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë një ndihmë jetësore për paqen dhe stabilitetin e vendeve dhe rajonin tonë, që duhet mbrojtur e promovuar më tej. Nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojmë që këto arritje të vihen në pikëpyetje dhe rajoni ynë të kthehet mbrapsht në ditët e tij më të errëta.

Ndaj dhe jam plotësisht dakord dhe i bashkohem konstatimit të kolegëve tanë bashkë-organizatorë të këtij samiti të jashtëzakonshëm, për rikthimin ndjeshëm të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara në rajonin tonë, si pjesë e dialogut strategjik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor-Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë këndvështrim dëshiroj të theksoj se, Shqipëria i kushton një rëndësi shumë të madhe këtij dialogu dhe si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në BE, është tërësisht e angazhuar për të dhënë kontributin e saj.

Shqipëria mbështet procesin e zgjerimit të Aleancës, pasi beson në kontributin e rëndësishëm që të gjitha vendet kandidate apo aspirantë, të rajonit, mund të japin për sigurinë e hapësirës euroatlantike. Përfitoj nga rasti të përshëndes vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Beograd, më 20 nëntor 2015, duke vendosur një marrëdhënie të re bashkëpunimi të organizatës me Serbinë.

Gjithashtu, Shqipëria është e orientuar qartazi drejt Bashkimit Evropian dhe falë këtij orientimi euroatlantik, vendi im i sheh me shumë shqetësim, jo vetëm kërcënimet që vijnë nga grupe e elementë terroristë e ekstremistë me ngjyrime fetare, por edhe informacionet dhe interesin në rritje për prezencë ushtarake në rajonin tonë nga vende që nuk kanë lidhje me hapësirën, sigurinë dhe vizionin euroatlantik.

(Fjala e plotë e zotit Nishani)
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Në Shqipëri po ndjekim gjithashtu me shumë vëmendje e shqetësim edhe çështjen e valëve të fundit migratore nga zonat në konflikt, kryesisht Siri e Irak, drejt vendeve të Evropës Perëndimore, duke përdorur të ashtuquajturën Balkan Route.

Shqipëria deri tani nuk ka qenë drejtpërdrejt e prekur nga kjo valë, por shumë prej vendeve të rajonit po kalojnë vështirësi serioze në përballimin e kësaj situate. Vala migratore po ndikon ndjeshëm në sigurinë dhe stabilitetin social të këtyre vendeve dhe të rajonit në përgjithësi, si dhe ka ndezur debate të ashpra politike në favor apo kundër tyre.

Për këtë arsye institucionet shqiptare ligjzbatuese, por jo vetëm, po marrin masat e nevojshme për përballimin e çdo situate të mundshme e të papritur, por edhe për të koordinuar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përballimin e kësaj situate.

Shqiptarët e njohin mirë emigracionin dhe kanë shprehur mirënjohjen për solidaritetin që kombet e tjera kanë treguar në momente kyçe të historisë dhe ekzistencës së tyre në shekuj, kështu që janë të gatshëm të demonstrojnë solidaritet me refugjatët në nevojë, proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet e saj.

Por gjithashtu, institucionet shqiptare kanë rritur vigjilencën ndaj keqpërdorimit të mundshëm të këtij solidariteti dhe penetrimit të mundshëm të elementëve terroristë dhe ekstremistë në territorin shqiptar.

Në këtë aspekt, dëshiroj të evidentoj faktin se, Shqipëria ka mbështetur dhe është në favor të konkretizimit të iniciativës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit, platformë e iniciuar gjatë Presidencës shqiptare të SEECP-së dhe që është parë me interes edhe nga Këshilli i BE-së dhe Vendet Anëtare në takimin me Këshillin kundër Terrorizmit, më 20 nëntor 2015.

Gjithashtu, ka qenë dhe është plotësisht e gatshme për të bashkëpunuar me Frontex-in dhe Europol-in në funksion të rritjes së kontrollit për kontrabandën e armëve, e bindur se vetëm përmes veprimeve të përbashkëta do të rritet efiçenca dhe efikasiteti në luftën kundër terrorizmit dhe organizatave kriminale.

Të nderuar kolegë,

Duke mbajtur në konsideratë momentin dhe synimin e këtij Samiti të jashtëzakonshëm, do të dëshiroja që të kufizohesha në fjalën time edhe në një çështje tjetër, të cilën e konsideroj shumë të rëndësishme për vendin tim, por besoj se e tillë është edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kjo çështje lidhet me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mendoj se, pavarësisht këtyre situatave të jashtëzakonshme, nuk duhet harruar për asnjë moment perspektiva evropiane e vendeve të rajonit dhe vijimi i procesit të zgjerimit.
Me të drejtë bashkë-organizatorët e këtij Samiti bëjnë thirrje për rivitalizim të procesit të zgjerimit, pasi duket se konsideratat teknike po prevalojnë ndaj interesave të përbashkëta politike.
Sigurisht që jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka kryerja e reformave të nevojshme brenda vendit, por gjithashtu jemi të bindur se këto reforma kanë nevojë për nxitje jo vetëm nga brenda por edhe nga jashtë.
E kam theksuar dhe e ritheksoj edhe njëherë me vendosmëri se: Shqipëria nuk ka alternativë tjetër veç anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por që kjo alternativë të marrë jetë, mendoj se duhet të shoqërohet me veprime, incentiva dhe mbështetje financiare edhe më konkrete nga ana e Bashkimi Evropian.
Shqipëria prej afro dy vitesh pret hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian dhe kjo gjë kushtëzohet me kryerjen e disa reformave sektoriale shumë të rëndësishme e prioritare, ku ndër më të rëndësishmet mbetet ajo në fushën e drejtësisë. Përtej përkushtimit dhe përpjekjeve për përmbushjen e këtyre prioriteteve kyçe, mendoj se hapja e negociatave do të ndihmojë më shumë edhe adresimin e këtyre prioriteteve, pasi të dyja janë procese dinamike në vetvete. Hapja e negociatave do të kontribuojë për ruajtjen e dinamikës së afrimit të vendit me Bashkimin Evropian dhe për rrjedhojë edhe të përmbushje së reformave dhe standardeve të nevojshme.
Steka po ngrihet dita ditës edhe më shumë dhe duket se kapërcimi i saj nuk mund të bëhet më pa ndihmën e një shkopi fleksibël.
Duke e mbyllur, dëshiroj të shpreh edhe njëherë vlerësimin dhe mbështetjen për Procesin e Brdo-Brijunit, që krahas proceseve të tjera rajonale, luan një rol shumë të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe thellimin e bashkëpunimit të këtij rajoni me Bashkimin Evropian.
Ju faleminderit për vëmendjen!

(Marrë nga faqja web e presidencës)