KRYEFAQJA » LAJME » Nishani nisi sot një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë
Nishani nisi sot një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë

Nishani nisi sot një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë

Presidenti i Republikës Bujar Nishani nisi sot një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë. Në vizitën që nisi me pritjen rezervuar nga homologia kroate Kolinda Grabar-Kitarović, dhe vijoi me takimet kokë më kokë e mes dy delegacioneve u përforcua vullneti i ndërsjelltë për bashkëpunim mbi një axhendë të mirëpërcaktuar, rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve, ku Presidenti i Republikës evidentoi dhe prezencën e një përfaqësie biznesi shqiptar në delegacionin e tij, si dhe zhvillimin e Forumit të përbashkët ekonomik Kroaci-Shqipëri, që pritet të mbahet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Zagreb.

Kreret e dy shteteve u ndalën ne çështjen e refugjatëve nga zonat në konflikt, duke u shprehur në favor të një zgjidhjeje evropiane të çështjes së refugjatëve.

Këto tema dominuan edhe takimet e kreut të shtetit shqiptar me kryeministrin kroat Tihomir Orešković dhe Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Željko Reiner. Në kuadër të kësaj vizite , presidenti Bujar Nishani vendosi dhe një kurorë me lule, me një dedikim të posaçëm për të rënët kroatë në luftë, tek Memoriali “Zëri i Viktimave Kroate – Muri i Dhimbjeve”, në Varrezat Mirogoj të Qytetit.