KRYEFAQJA » LAJME » Nishani: Njerëzit e botës së letrave rrisin shpresën dhe besimin
Nishani: Njerëzit e botës së letrave rrisin shpresën dhe besimin

Nishani: Njerëzit e botës së letrave rrisin shpresën dhe besimin

Presidenti shqiptar Bujar Nishani u ka bërë thirrje njërëzve të botë së letrave shqiptare të bëjnë përpjekje maksimale për ruajtjen dhe pasurimin e fondit të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar. Gjatë një takimi në selinë e presidencës shqiptare me shkrimtarë dhe botues, përkthyes, studiues e akademikë të librit në gjuhën shqipe, zoti Nishani duke vlerësuar punën e tyre tha se kjo trashëgimi duhet të promovohet më tej. Një falenderim të veçantë zoti Nishani u drejtori organizatorëve të panaireve të përvitshme të Librit, të cilët ai vlerësoi se “kontribuojnë në edukimin e brezave me kulturën e të lexuarit”.

Për kreun e shtetit “Sot është një moment i vështirë për shoqërinë. Jetojmë në një kohë ku hierarkia e vlerave është vazhdimisht e kërcënuar, ku forma shpeshherë fiton gjithnjë e më shumë terren ndaj përmbajtjes, në një kohë kur varfërie tenton të mbështjellë në rrjetën e vet një numër gjithnjë e më të madh njerëzish, duke prekur sidomos më të rinjtë” tha zoti Nishani, ndërsa shtoi se njerëzit e botës së letrave rrisin shpresën dhe besimin. “Dëshiroj që ju ta vazhdoni rrugëtimin e gjatë me më tepër prodhimtari, më me dinamizëm, me artikulim në përballjen e sfidave, për të ndihmuar sa më shumë që të jetë e mundur qytetarët shqiptarë, shoqërinë tonë, kulturën dhe maturimin e mbarë kombit shqiptar” tha ai.

Presidenti Nishani u shprehu të pranishmëve ndjesë për sipas tij, mungesën e vëmendjes dhe vlerësimit të duhur shtetëror ndaj vlerave të tyre nga ana e institucioneve përkatëse, duke e konsideruar si një anomali mungesën e politikave në këtë drejtim.