KRYEFAQJA » LAJME » Nishani: Nuk do të ketë zvarritje të qëndrimit të Presidentit për Ligjin e Mbetjeve

Nishani: Nuk do të ketë zvarritje të qëndrimit të Presidentit për Ligjin e Mbetjeve

Presidenti Bujar Nishani njoftoi të hënën se do t’a bëjë publik qëndrimin institucional për Ligjin e Mbetjeve, pas konsultave me këshilltarët juridikë dhe tryezës me shoqërinë civile. 10 ditë para përfundimit të afatit kushtetues, zoti Nishani garantoi se nuk do të ketë zvarritje të qëndrimit për çështje. “E sigurtë është se do ketë një qëndrim, por Presidenti rezervon të drejtën dhe privilegjin të flasë i fundit. Aktualisht specialistët dhe këshilltarët juridikë janë duke punuar, janë duke përgatitur një takim konsultues me përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kanë kërkuar një takim dhe konsultë me Presidentin e Republikës” tha zoti Nishani gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me mikun e tij nga Kosova presidentin Hashim Thaçi. “Është shumë e rëndësishme që çështje të tilla madhore që lidhen me interesin e publikut ne gjithmonë ti fokusojmë në rrugën e zgjidhjes të këtij interesi. Interesi i publikut gjithmonë prevalon, interesi i marrjes së mendimit dhe shprehjes së mendimit dhe vullnetit të sovranit që në fund të fundit për gjithësecilin prej nesh është qytetari të prevalojë dhe të jetë ai maksimalisht i respektuar.
Por duke pasur dhe mundësinë e afateve që Kushtetuta parashikon, nuk do të ketë zvarritje të qëndrimit të Presidentit. Sapo mendimi përfundimtar i konsultuar gjerësisht, pasi unë konsideroj që për çështje të tilla madhore të ezauroj një konsultë sa më të gjerë që të jetë e mundur jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por dhe në atë të interesit të publikut, do të ketë qëndrimin përfundimtar të Presidentit opinioni, Kuvendi dhe të gjithë aktorët e tjerë të interesuar. Çështje të tilla që kanë sensibilitet, ndjeshmëri të madhe të opinionit publik, qytetarëve tanë, në fund të fundit për të cilët jemi të angazhuar, të ngarkuar për tu shërbyer, është një çështje që duhet trajtuar me sa më shumë kujdes dhe me sa më shumë përfshirje që të jetë e mundur” tha presidenti Nishani.