KRYEFAQJA » LAJME » Nishani pret Thaçin
Nishani pret Thaçin

Nishani pret Thaçin

Në vizitën e tij të parë zyrtare si president i Kosovës në Tiranë, zotit Hashim Thaçi ju rezervuan të gjitha nderet nga mikpritësi i tij presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. “Për zotin Thaçi nuk ka sens numërimi i vizitave të tij në Shqipëri, por si President i Kosovës, kjo është vizita e parë shtetërore në Shqipëri, që nga marrja e kësaj detyre të lartë pak muaj më parë, ndaj dhe e konsideroj shumë të veçantë këtë vizitë duke u ndier edhe personalisht, i respektuar, i nderuar dhe i privilegjuar që e mirëpres zotin Thaçi në këtë vizitë në Tiranë” tha zoti Nishani. Sipas tij përtej bashkëpunimit të shkëlqyer dhe strategjik të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, përfshirja e disa ministrave në delegacionet përkatëse, demonstron interesin e madh që dy vendet i kushtojnë bashkëpunimit në këto sektorë, si në kontekstin dypalësh ashtu edhe impaktin dhe lidhjet e këtyre sektorëve me zhvillimet rajonale.
Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh, zoti Nishani tha se “vlerësuam me nota shumë pozitive dinamikën e bashkëpunimit të deritanishëm, ku padyshim një rol të veçantë kanë luajtur edhe takimet e përbashkëta mes qeverive të të dy shteteve”. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi se zoti Thaçika luajtur një rol kyç dhe shumë domethënës për konkretizimin e këtyre takimeve midis qeverive, të cilat i kanë dinamizuar edhe më shumë marrëdhëniet, veçanërisht në kuadrin e punës për unifikimin e tregjeve mes dy shteteve, përfshirë dhe atë energjetik, krijimit të pikave doganore të përbashkëta, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. “Lidhur me bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të kërkimit shkencor, theksoj domosdoshmërinë e nxitjes së vazhdueshme të institucioneve të të dy shteteve tona për të fokusuar energjitë dhe burimet e tyre në vijimësi në drejtim të promovimit të unifikimit të vlerave të përbashkëta historike e kulturore” tha zoti Nishani.
Një vëmendje të veçantë në bisedë i është kushtuar bashkëpunimit rajonal, ku të dy shtetet tashmë të deklaruara me orientim të qarët euroatlantik po kontribuojnë në mënyrë të qenësishme për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit në Evropën Juglindore. Zoti Nishani tha se ka “ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe shpreha besimin se avancimi i mëtejshëm i këtij dialogu, respektimi dhe përmbushja e marrëveshjeve të arritura do të ndikojë jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës, por edhe për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit për të gjithë rajonin tonë”.
Presidenti shqiptar shprehu shpresën se “Procesi i integrimit euro-atlantik i Kosovës dhe mbyllja sa më parë e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga BE, do të konfirmojnë dimensionin e lirisë dhe frymën e përhapjes së prosperitetit që mbart në themelin e saj hapësira euro-atlantike”. “Shqipëria i mbështet fuqimisht këto procese dhe në këtë kuadër pata rastin të përshëndes edhe njëherë nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në prill të këtij viti, si marrëveshja e parë kontraktuale me Unionin dhe që ka hapur një fazë të re në marrëdhëniet Kosovë-BE” shtoi ai.

Nga ana e tij presidenti kosovar Hashim Thaçi ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen që ajo i ka dhënë Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai preku çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, me të cilën Brukseli kushtëzon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Zoti Thaçi shprehu shpresën se kjo çështje do të përmbyllet me sukses, duke ju bërë thirrje për dialog politik mes palëve.