KRYEFAQJA » LAJME » Nishani takim me Presidentin e GJEDNJ
bn

Nishani takim me Presidentin e GJEDNJ

Në kuadër të vizitës zyrtare në Këshillin e Evropës, Presidenti Nishani u takua me Presidentin e ri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi. Kreu i Shtetit e informoi zotin Raimondi mbi ecurinë e reformës në drejtësi, si dhe theksoi se kjo reformë është prioritare, pasi është e vetmja mundësi për të krijuar një sistem drejtësie, të pavarur, profesional, dhe të pakorruptuar.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Nishani ia kushtoi çështjes së pronave dhe kompensimit të pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si një e drejtë fondamentale dhe një nga prioritetet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë presidenti Nishani u takua edhe me Presidentin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Jean-Claude Frécon, si dhe me anëtarët e stafit shqiptar në Këshillin e Evropës. Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin dhe rekomandimet që kanë dhënë ekipet e ndryshme vëzhguese dhe monitoruese, për përmirësimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Presidenti Nishani shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej në të ardhmen, si dhe evidentoi punën e institucioneve shqiptare në përmbushjen e rekomandimeve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale. Lidhur per reformën administrative, Kreu i Shtetit vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, si dhe theksoi se nuk mjafton vetëm një ndarje e re territoriale, por duhet që të ketë një ndarje reale edhe të burimeve financiare në mbështetje të shërbimeve që qytetarët kanë nevojë.