KRYEFAQJA » LAJME » Nishani uron politikën për konsensusin e reformës
Nishani uron politikën për konsensusin e reformës

Nishani uron politikën për konsensusin e reformës

Presidenti shqiptar Bujar Nishani ka vlerësuar dhe përgëzuar të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë, si dhe klasën politike shqiptare në përgjithësi, mbi konsensusin e arritur përmes kompromisit që ofruan në procesin e Reformës në Drejtësi. “Ky proces dhe të gjitha përpjekjet e bëra me persistencë treguan rëndësinë e padiskutueshme që reforma në drejtësi ka mbi të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë” vlerësohet në një reagim të presidencës shqiptare.
Zoti Nishani vlerëson se “Që t’u shërbejë më së miri interesave të qytetarëve shqiptarë, është thelbësore që kjo reformë të finalizohet me sukses, duke ruajtur standardet më të larta profesionale dhe parimet e shenjta demokratike duke siguruar dhe garantuar së pari dhe mbi të gjitha liritë dhe të drejtat themelore të njeriut”.
“Konsensusi dhe kompromisi garantojnë që reforma në drejtësi ose më saktë, ndryshimet kushtetuese do të arrijnë qëllimin aq shumë të dëshiruar e të mirëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për një drejtësi vërtet profesionale, efiçente dhe të pavarur” çmon zoti Nishani, ndërsa “i uron punë të mbarë Kuvendit të Shqipërisë ditën e nesërme në votimin e projektit konsensual të arritur”.