KRYEFAQJA » LAJME » Nishani partive: Zgjedhje të lira e të ndershme dhe lirim i vendit nga kanabisi!
Nishani partive: Zgjedhje të lira e të ndershme dhe lirim i vendit nga kanabisi!

Nishani partive: Zgjedhje të lira e të ndershme dhe lirim i vendit nga kanabisi!

Presidenti shqiptar Bujar Nishani ka dhënë një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 nëntorit 104 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Falenderimet e para kreu i shtetit i ka dhënë për ata që i cilësoi si rilindasit e vërtetë me në krye atin e pavarësisë, Ismail Qemali që bënë të mundur ardhjen e kësaj dite të bekuar për shqiptarët.
Por pjesën më të rëndësishme të fjalës së tij, zoti Nishani ua kushtoi zhvillimeve aktuale lidhur me integrimin e vendit. “Hapja sa më parë e negociatave me Bashkimin Evropian do të jetë hapi tjetër cilësor që do të na çelë derën për të ecur në rrugën e gjatë të reformave edhe më thella dhe ndoshta më të dhimbshme, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane” tha kreu i shtetit.
Duke e konsideruar si thelbësor angazhimin, përkushtimin dhe veprimin e pandashëm të shoqërisë shqiptare ai bëri thirrje për përmbushje të standardeve të kërkuara.
Por për zotin Nishani “Periudha në vijim është një periudhë me dy prioritete të mëdha; zgjedhjet e lira dhe të ndershme që do të zhvillohen qershorin e ardhshëm dhe lirimin e vendit nga kanabisi, kjo murtajë që rrezikon të sotme dhe të nesërmen. Ne dhe fëmijët tanë, politikën dhe shtetin, demokracinë dhe integrimin”.
Ai i ftoi partitë politike që sa më shpejtë të bëjnë reformën zgjedhore. “Një reformë që, sipas tij, do t’u përgjigjet zhvillimeve në vend, duke korrigjuar defektet dhe konsoliduar infrastrukturën zgjedhore”. “Vendi e ka të pamundur të ballafaqohet me zgjedhje të kontestuara. E kemi jetike nevojën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë shpreh besimin se Shqipëria dhe shqiptarët, institucionet do të dinë të ngrihen në lartësinë e sfidave duke bërë më të mirën për sot dhe për nesër” tha presidenti Bujar Nishani në pritjen e dhënë në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 nëntorit 104 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.