KRYEFAQJA » LAJME » Nisin përgatitjet për Reformën Zgjedhore
Nisin përgatitjet për Reformën Zgjedhore

Nisin përgatitjet për Reformën Zgjedhore

Politika shqiptare ka nisur përgatitjet për Reformën Zgjedhore, e cila pritet të zbatohet në zgjedhjet parlamentare që parashikohet të mbahen në mesin e vitit të ardhshëm. Të mërkurën është mbledhur Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore. Përfaqësues të opozitës dhe maxhorancës kanë parashtruar synimet e tyre. Përfaqësuesi i PD Oerd Bylykbashi tha se “Opozita ka bërë një propozim të detajuar të platformës e çfarë duhet të përmbajë kodi i ri zgjedhor”. Sipas tij reforma “kërkon ekspertizë intensive dhe cilësore” dhe se “Brenda fundit të vitit të kemi amendime serioze”.
Deputeti socialist Taulant Balla solli në vemendje çështjen e përfshirjes së emigrantëve në votime. “1/3 e shqiptarëve jetojnë jashtë. I kemi parë propozimet e PD-së dhe duhet ta zgjidhim këtë çështje deri më 20 dhjetor, kur mbyllet ky sesion” tha zoti Balla. Ai përmendi edhe votimin elektronik që sipas tij duhet të jetë “një zgjidhje lehtësisht të implementueshme”.
Pas zgjedhjeve të parakohshme lokale në Dibër, komuniteti ndërkombëtar shprehu vërejtjet e tij. Prezenca e OSBE-së ndau të njëjtin shqetësim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zëvendësimin e mbi 98 për qind të komisionerëve të qendrave të votimit, një ditë përpara zgjedhjeve. “Prezenca vijon të sugjerojë që partitë politike të Shqipërisë duhet ta marrin më seriozisht menaxhimin profesional të zgjedhjeve, në mënyrë që sistemi të jetë i besueshëm” deklaroi me këtë rast OSBE. Gjithnjë sipas OSBE “Procesi zgjedhor në Dibër është një tjetër tregues i nevojës për një reformë zgjedhore tërësore, e cila do të siguronte, veç të tjerave, depolitizimin e organeve të administrimit të zgjedhjeve, si dhe barazinë gjinore në përfaqësimin politik dhe në komisionet zgjedhore”. OSBE nxiti “autoritetet dhe partitë politike shqiptare të nisin, pa humbur kohë, këtë proces shumë të rëndësishëm dhe ta përfundojnë atë në kohë për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm”.