KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një anglez i dashuruar me Shqipërinë

Një anglez i dashuruar me Shqipërinë

Në një nga hapësirat ku flitet për kulturë në Tiranë u prezantua “Shqiptarët para pasqyrës”, një botim dedikuar shqiptarëve. Shkrimtari është një anglez i apasionuar me ne. Ai është Alan Andoni, kështu ka vendosur të quhet edhe pse emri i tij i vërtetë është Andi Michajloviz. Alani ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri, të cilën e zbuloi nëpërmjet valëve të Radio Tiranës 40 vjet më parë. Në atë kohë ajo ishte e izoluar, por dilte përtej kufinjve komunistë nëpërmjet valëve radiofonike të transmetimeve të huaja.
“Unë jam i apasionuar pas shqiptarëve dhe Shqipërisë, ndaj kam zgjedhur të jetoj këtu. Ka diçka Shqipëria që e bën shumë atraktive, që të tërheq, të mban ketu” thotë shkrimtari Alan Andoni për TVSH. “Mendoj se shqiptarët, si gjithë popujve të tjerë, u pëlqen ta shohin veten në pasqyrë. Libri im është një pasqyrë metafizike e popullit shqiptar, jo e pamjes, por e personalitetit, karakterit, zakoneve të tyre. Në këtë libër fjalët janë të mijat, por historitë janë të shqiptarëve, ndonjëherë të trajtuara edhe me humor” spjegon shkrimtari. “Siç i kam përshkruar në libër, sipas eksperiencës time shqiptarët janë unikë. Ata janë ballkanikë, po aq sa mesdhetarë, po aq sa ruralë, po aq sa evropianë. Kjo është një përzierje unike. “Shqiptarët para pasqyrës janë interesantë, sharmantë, ndonjëherë të frustruar, por edhe shpërblyes” përfundon shkrimtari anglez Alan Andoni për TVSH.
“Shqiptarët para pasqyrës” vjen në duart e lexuesit nga Shtëpia Botuese “Mediaprint”.