KRYEFAQJA » LAJME » Një avion i vogël rrëzohet në Maqedoni, gjashtë të vdekur

Një avion i vogël rrëzohet në Maqedoni, gjashtë të vdekur

Një avion i vogël privat, i nisur nga aeroporti i Trevizos në Itali, me 6 persona në bord, është rrëzuar pasditen e djeshme në Maqedoni, në zonën e Velesit pranë Shkupit. Nga kjo tragjedi kanë humbur jetën të gjithë udhëtarët, prej të cilëve 4 ishin italianë, ndërsa dy nga Kosova. Pjesët e avionit “Pajper Senka 2” u gjetën 2 kilometra larg fshatit Kozhle në zonën e Velesit në Maqedoni. Avioni i nisur nga Trevizo në Itali u rrëzua mbrëmjen e së martës dhe në bord kishte 6 persona, 2 shtetas të Kosovës që identifikohen si vëllezërit Begaj dhe 4 italianë. Ata udhëtonin drejt Prishtinës, ndërsa në Shkup në aeroportin “Aleksandri i Madh” ishin për furnizim me karburant. Vendi ku u rrëzua avioni është rreth 20 km larg kryeqytetit të Maqedonisë. Të 6 personat do të merrnin pjesë në ceremoninë për themelimin e qendrës aeronautike të Kosovës në Istog. Autoritetet konfirmuan emrat e viktimave, Visar Begaj dhe vëllai i tij, të dy nga Malisheva, por që zhvillonin aktivitetin e tyre si biznesmenë në Itali. Ndërkohë italianët që humben jetën janë piloti Francesko Montanieri, Dario Bastasi, Luka dalla Mile dhe viktima e katërt një femër. Mediat e Kosovës dhe Maqedonisë thone se avioni mund të jetë rrezuar për shkak të motit të keq. Moti, terreni i vështirë por edhe nata vështirësuan operacionet e kërkimit.