KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një ditë me Trebeshinën
Kasem Trebeshina

Një ditë me Trebeshinën

Letërsia ishte i vetmi atdhe që i mbeti, kështu e cilëson fenomenin Trebeshina në letërsi, studiuesi Behar Gjoka. Në 90 vjetorin e lindjes së një prej shkrimtarëve më mistikë, e po aq i kontestuar, i dashur dhe i urryer njëkohësisht, Kasem Trebeshina ka mundur të çelë dyert e Akademisë së Shkencave ku ishte projektuar “Një ditë me veprën e Trebeshinës” nga kritikë dhe studiues që nuk e shohin veprën letrare si një fakt biografik.

Shkrimtari Kasëm Trebeshina që ndan jetën mes Turqisë dhe Shqipërisë ka mbetur në hije, jo vetëm nga indiferenca e shtetit, por edhe për shkak të përqëndrimit mediatik tek përplasjet dhe jo tek vepra letrare, gati gjysma e së cilës është ende e pabotuar.

Përmasa e fantastikes në letërsinë e tij u evidentua si një nga pragjet ku duhet të nise njohja, leximi dhe vlerësimi i kësaj përvoje të shkrimit ndër më të veçantat në harkun e letërsisë bashkëkohore. Ai njihet si i pari shkrimtar që u rebelua ndaj diktaturës, me promemorien e famshme që i dërgoi diktatorit Enver Hoxha në vitin 1953.