KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një pinjoll i dinastisë Kenedi mbërrin në Tiranë me Artin e tij

Një pinjoll i dinastisë Kenedi mbërrin në Tiranë me Artin e tij

Një pinjoll i dinastisë Kenedi ka mbërritur në Tiranë. Por ndryshe nga paraardhësit e tij që u bënë të njohur në botën e politikës në Amerikë, Vinsent Kenedi, synon ta fitojë botën përmes muzikës që kompozon. Ndonëse dy krijime të tij janë luajtur në Irlandë dhe në SHBA, në Europë e nisin premierën nga Shqipëria e pikërisht me Orkestren e RTSH. “Jemi kushërinj të largët, të gjithë gjyshërit e presidentit Kenedy vinin nga Irlanda. Dhe ne të gjithë rrjedhim nga e njëjta pemë gjenealogjike dhe kemi ruajtur të njëjtin mbiemër. Shtëpia ku ka jetuar babai i parë Kenedi, është ende atje dhe është e vizitueshme. Ende ka kushërinj të tij e jetojnë atje. Pas luftës presidenti Kenedi erdhi në Irlandë dhe trokiti në dyert e gjithë fqinjëve me shpresën që të rigjente kushërinjtë e tij” tregon kompozitori dhe dirigjenti Kenedi për mikrofonin e gazetares së TVSH Mira Tuci.

Në qytetet tona, thotë ai mund të kemi fatin të lindin dhe jetojnë njerëz të mëdhenj. Dhe fati e ka dashur që pikërisht pranë qytetin të tij të lindjes të ketë jetuar ca kohë një shqiptare, Nenë Tereza. “Babai im punonte në atë kohë si shofer autobusi dhe linja që ai bënte shkonte nga deti në mal dhe kalonte çdo ditë nga abacia ku jetonte Nënë Tereza. Im atë më ka rrëfyer që ajo e merrte autobusin shpesh dhe ishte në lutje kostante përsa kohe jetoi në Irlandë para se të shpërngulej në Indi, dhe ne të gjithë e dimë pjesën tjetër te historisë”,vazhdon Vinsent Kenedi tregimin e tij.
“Uverturë për qytetin tim” dhe “Endrra”, pjesë për violinë dhe orkestër janë krijime që mbajnë firmën e tij. Ato do të luhen mbrëmjen e së premtes në skenën e Unviersitetit të Arteve. Vinsent Kenedi është një ndër kompozitorët më të suksesshëm bashkëkohore në Irlandë ndërkohë që rendit një seri çmimesh, ndërkohë që muzika e tij është interpretuar nga orkestra prestigjioze në Evropë, Australi, SHBA dhe Kanada.