KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një spektakël për të mos u humbur dhe një krenari tjetër shqiptare mes yjeve të operas botërore
Ermonela Jaho

Një spektakël për të mos u humbur dhe një krenari tjetër shqiptare mes yjeve të operas botërore

Ndërsa Shqipëria, Franca dhe Europa janë përfshirë nga ethet e zjarrta të futbollit, një shqiptare tjetër është mbretëresha e mbrëmjes në teatrin e mrekullueshëm antik të Orange në Francë. Ermonela Jaho hap mbrëmjen e arieve më të mira nga interpretet më të mëdhenj të momentit në festën e muzikës. Spektakli i përvitshëm në këtë teatër transmetohet direkt nga televizioni francez Francë 3. Spektakli starton në orën 20:55 për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe admiruesit e zërit të sopranos shqiptare e cila mban trofeun International Opera Award. Konceptuar si shndërrimi i muzikës klasike në një festë të ngrohtë dhe të aksesueshme për publikun, është ambicia e organizatorëve dhe tashmë çdo vit “Musique en Fete” është një mundësi për të prekur publikun e madh duke ruajtur një nivel të lartë artistik. I përzgjedhur si emisioni i preferuar i francezëve gjatë vitit 2014, ky spektakël përmbledh forcat artistike të operas së Tulonit, dhe Operas së Avinjonit. Me orkestrën filarmonike të Monte Carlos dhe nën dirigjimin e Luciano Acocella dhe Didier Benetti, mbrëmja do të ndizet nga zërat e Ermonela Jahos, Bryan Hymel, Béatrice Uria Monzon, Lambert ëilson, Julie Fuchs, Florian Laconi, Vannina Santoni, si dhe vallëzimi i balerinëve të l’Opéra Grand Avignon, Marie Karall, Valentine Lemercier. dhe Michaël Gregorio.