KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Një telajo gjigande do të ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve
Galerinë Kombëtare të Arteve

Një telajo gjigande do të ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve

1000 penelata në telajo” do të jetë mini-projekti që pritet të nisë paraditen e 13 prillit për të vijuar përgjatë një muaji në Galerinë Kombëtare të Arteve. Atelieja e Edukimit Artistik në këtë institucion do të jetë e hapur për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, jo për të marrë kurse pikture, por për të marrë dëshirën për të shijuar një vepër arti, për të hedhur në telajo atë çka fëmijët mendojnë dhe ndjejnë kur u jepet një temë. Sipas drejtorit të galerisë kombëtare të arteve Artan Shabani fëmijëve do t’u vihet në dispozicion një telajo e madhe dhe të gjithë së bashku ata do të punojnë mbi të për t’i dhënë asaj një formë dhe përmbajtje që do ta shndërrojë në fund një vepër arti.

Sipas drejtorit Shabani, fëmijët që do të bëhen pjesë e këtij mini-projekti do të kenë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e nevojshme, që nga ngjyrat e deri te personeli i galerisë.

Të interesuar deri tani kanë qenë jo vetëm prindërit në mënyre individuale, por edhe kopshtet e shkollat. Në fund piktura që do të ketë autorësinë e përbashkët të fëmijëve do të ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve.