KRYEFAQJA » LAJME » Një tjetër i dyshuar për grabitjen e 3.2 milion dollarëve në Rinas

Një tjetër i dyshuar për grabitjen e 3.2 milion dollarëve në Rinas

Policia ka tashmë një të dyshuar si bashkëpunëtor të grabitësve të 3.2 milionë dollarëve mesditën e 9 shkurtit në segmentin Kashar Rinas. Ajo ka shoqëruar rreth 30 persona si të dyshuar në këtë ngjarje por ndërsa të tjerët janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë, policia e kryeqytetit nuk ka vepruar njëlloj me shtetasin me inicialet Fation Xhyli nga Lushnja. Mësohet se prej tre ditësh ai mbahet në komisariat, në izolim dhe pa pasur mundësi të kontaktojë me familjarë apo avokatë. Fation Xhyli u shoqërua tre ditë më parë nga policia bashkë me vëllain e tij pasi nga verifikimet që janë kryer nëpërmjet antenave të telefonisë celulare, ka rezultuar se të dy vëllezërit kanë qenë të pranishëm 30 minuta para dhe pas grabitjes, në zonën përreth Qafës së Kasharit dhe Rinasit. Por ndërsa njëri nga vëllezërit u la i lirë Fation Xhyli vijon të qëndrojë në polici, për shkak se nuk ka argumentuar prezencën e tij pranë zonës ku ndodhi ngjarja, para, gjatë dhe pas grabitjes. Ende nuk ka një provë konkrete që e implikon Fatjon Xh. me këtë grabitje, por policia ka dyshime të forta se ai është i përfshirë. Grupi hetimor është në pritje të zbardhjes së tabulateve telefonike për të përcaktuar nëse ai ka qenë i përfshirë ose jo në grabitje. Pak ditë më parë prokuroria zyrtarizoi shumën e grabitur e cila ishte 3.2 milionë dollarë. Për këtë ngjarje në ambjentet e paraburgimit mbahen edhe 6 punonjësit e kompanisë private të shoqërimit të parave. Mbi ta rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës pasi kanë shkelur rregullat në të paktën 7 raste që nga që nga mungesa e kamerave të sigurisë e deri tek mos përdorimi i logove.