KRYEFAQJA » LAJME » Një tjetër tërmet 4.8 ballësh ka tronditur sërish Italinë Qendrore

Një tjetër tërmet 4.8 ballësh ka tronditur sërish Italinë Qendrore

Nuk ndalen lëkundjet e tokës në Italinë qendrore. Një tjetër tërmet me magnitudë 4.8 i shkallës rihter riktheu sërish frikën mes banorëve. Epiqendra e tërmetit u shënua në Marke, por lëkundjet u ndien edhe në Romë. Ndërsa mediat italiane njoftojnë se dridhjet e tokës vijojnë, gjatë natës të së mërkurës janë regjistruar 105 lëkundje. Fatmirësisht nuk janë shënuar viktima, të plagosur dhe as shkatërrime të ndërtesave. Shumë prej personave të pastrehë vijojnë të flenë nëpër makina. Prej javësh Italia qendrore nuk po gjen qetësi nga lëkundjet e tokës të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha material duke sjellë edhe rrënimin e shumë ndërtesave historike. Tërmetet e fundit të 26 dhe 30 tetorit kanë deformuar një zonë prej rreth 600 metrash katrorë tokë. Zona ku janë verifikuar dëmet më të mëdha tokësore, është përcaktuar me një gjatësi prej rreth 40 kilometrash dhe 15 metrash gjerësi. Deformimi i tokës ka të bëjë me ngritjen apo uljen e sipërfaqes së tokës, duke krijuar relieve të dukshme. Pranë Castelluccio, toka është zhytur në 70 cm dhe në disa të tjera ndoshta më pak, deri në 3 cm. Ekspertët theksojnë gjithashtu se vendi rrezikohet të ketë tërmete të tjerë edhe si pasojë e aktivizimit të vullkanit Vezuv. Ndërkohë, kreu i Shtetit, Sergio Mattarella, gjatë një takimi me disa prej banorëve të zhvendosur nga Norcia e shkatërruar nga tërmeti, premtoi se cdo gjë do të kthehet si më parë. Edhe qeveria italiane ka marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura.