KRYEFAQJA » LAJME » Njerëzit më të lashtë në Amerikën e Veriut 24.000 vjet më parë
Njerëzit më të lashtë në Amerikën e Veriut 24.000 vjet më parë

Njerëzit më të lashtë në Amerikën e Veriut 24.000 vjet më parë

Qëniet e para njerëzore kanë shkuar në Amerikën e Veriut 10.000 vjet para parashikimit. Ata mendohet të kenë kaluar ngushticën e Beringut 24.000 vjet më parë, për të mbetur më pas të bllokuar mes akujve dhe stepave deri në përfundimin e kohës së akullnajave, kur filloi vepra e tyre për popullimin e kontinentit. Këtë zbulim e kanë bërë antropologët e Universitetit të Montrealit, duke datuar mbetjet e disa kafshëve të rrjepura në vendbanimin më të lashtë njerëzor në Kanada, në shpellën Bluefish, pranë kufirit me Alaskën. Të dhënat e zbulimit janë publikuar në revistën Plos One.

Kërkuesit kanë punuar gati dy vjet për të analizuar mbi 36.000 pjesë kockash të gjetura në vendin arkeologjik dhe të ruajtura në Muzeun e Historisë Kanadezë në Gatinò. Ndër të gjitha këto pjesë të gjetura, vetëm 15 kanë shenja që të shpien pa pikë keqkuptimi te dora e njeriut. Në veçanti, paleontologët kanë gjetur “disa vija të drejta në formë V-je që janë bërë me mjete prej guri që përdoreshin për të rrjepur kafshët”, siç shpjegon drejtuesja e studimit, Ariane Burke.

Datimi me radiokarbon i mbetjeve të gjetura tregoi se kocka më e lashtë, një nofull e poshtme kali që mendohet të jetë gërvishur gjatë përpjekjes për t’i prerë gjuhën kafshës, është e bërë 24.000 vjet më parë.

Ky përfundim pohon pra datimin e parë të vendbanimit të bërë nga arkeologu Jacques Cinq-Mars, që punoi në shpellë mes viteve 1977 dhe 1987. Edhe Cinq-Mars kishte datuar me radiokarbon disa kocka kafshësh të gjetura në shpellë, por studimi i tij u kundërshtua sepse nuk vërtetonte se ato skelete kishin përfunduar në shpellë nga dora e njeriut dhe jo për shkaqe të tjera natyrore.