KRYEFAQJA » LAJME » Nju Jork, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt seanca për Kosovën

Nju Jork, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt seanca për Kosovën

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u mbajt mbrëmë seanca ku u diskutua për situatën në Kosovë. Materiali bazë për këtë seancë ishte raporti 3-mujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-s, Ban Ki-Moon për gjendjen në Kosovë, në të cilin theksohet se situata e sigurisë në përgjithësi mbetet e qëndrueshme, megjithatë tensionet politike kanë prodhuar disa incidente, përfshirë protesta të dhunshme, sulme dhe kërcënime kundër zyrtarëve dhe dëmtim të pronës private dhe qeveritare. Në diskutimin e tij, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se “Kosova ishte dhe vazhdon të jetë në qendër të çështjeve jetësore për sigurinë e përgjithshme në Evropë dhe për marrëdhëniet në kontekst më të gjërë”. Ai pastaj theksoi zhvillimet në Kosovë, siç janë zgjedhja e presidentit të ri dhe rekomandimin e Komisionit Evropan për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Më tej ai theksoi se për Prishtinën dhe Beogradin, “integrimi është I lidhur ngusht me dialogun e nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”. Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, e cila e përfaqësoi Kosovën në këtë seancë, theksoi se Serbia për Kosovën flet me retorikë nga shekulli i kaluar. Ndaj fjalimit të ambasadores Çitaku ka reaguar zëvendës-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, duke thënë se për krime duhet të vendoset në gjykata e jo të bisedohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Daçiç, njëherësh ministër i jashtëm i Serbisë, e ka fajësuar Kosovën se nuk ka siguruar mbrojtje institucionale për komunitetin serb. Ai, po ashtu, tha se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të nevojshëm për implementimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut të Brukselit.