KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Nju Jork: Shpërthim në zemer të Manhatanit, 29 të plagosur
Nju Jork: Shpërthim në zemer të Manhatanit, 29 të plagosur
EPA/JASON SZENES

Nju Jork: Shpërthim në zemer të Manhatanit, 29 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur natën e shkuar në orën 20:30 (2:30 në Shqipëri) në lagjen Çelsi në zemër të Manhatanit në Nju Jork. Si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të plagosur 29 persona. Ka qënë një mjet plasës, i vendosur brenda kazanëve të mbeturinave, ai që ka shpërthyer dhe frikësuar qindra persona të cilët janë larguar të tmerruar. Rreth një orë pas shpërthimit, pranë vendngjarjes policia ka gjetur një tjetër mjet plasës, një tenxhere me presion nga e cila dilnin tela elektrikë, që u hoq. Sipas CNN, pranë tenxheres është gjetur një letër e shkruar e cila nuk është bërë publike ende. Sipas mediave amerikane, policia e Nju Jorkut ka kontrolluar një tjetër vend të dyshimtë.

Vendi ku ndodhi shpërthimi është mbyllur nga policia, gjithashtu janë mbyllur edhe disa linja metroje. Sipas policisë së Nju Jorkut bëhet fjalë për një sulm me qëllim dhe jo për një shpërthim pa dashje, por sipas kryebashkiakut njujorkez Bill De Blasio nuk duket të ketë ndonjë lidhje me terrorizmin. Gjithashtu nuk mendohet të ketë lidhje me shpërthimin e djeshëm në Nju Xhersi. “Qyteti i Nju Jorkut nuk do të frikësohet, nuk do të ia lejojmë askuj që të ndryshojë mënyrën se si ne jetojmë jetën tonë”, tha De Blasio gjatë një dalje para shtypit.

Shpërthimi ka ndodhur në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur në Nju Jork zbresin dhjetra kryetarë shtetesh dhe qeverishë. Barack Obama dhe Hillary Clinton flisnin në atë çast gjatë një feste për mbledhje fondesh në Uashington.