KRYEFAQJA » LAJME » Njuland në Tiranë : Reforma në Drejtësi, prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri
prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri

Njuland në Tiranë : Reforma në Drejtësi, prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Viktorja Njuland, e cila po qëndron prej disa orësh në Tiranë, ka deklaruar se Reforma në Drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Kjo është bërë e ditur pas takimit me shefin e diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati. “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën, tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët” tha zoti Bushati. “Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90 për qind e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim” këmbënguli ministri i jashtëm shqiptar.
Ndërsa pas takimit me kreun e opozitës Lulzim Basha, ky i fundit bëri të ditur se Reforma në Drejtësi do të miratohet vetëm me konsensus politik. “Ne jemi të bindur se kjo reformë mund dhe do të miratohet vetëm me konsensus politik. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë themel tjetër të shëndoshë për reformën në drejtësi përveç konsensusit politik mes palëve. PD ka kontribuar me këtë propozim, duke lëvizur nga pozitat e mëparshme, por duke mbetur besnike 100 përqind e rekomandimit 88 të Venecias. Presim, kërkojmë dhe ftojmë palën tjetër që përmes një reflektimi pozitiv të diskutojë mbi meritat e këtij propozimi” tha zoti Basha.
Zonja Njuland ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin Rama, por ende nuk kanë dale hollësi prej tij. (Vijon)