KRYEFAQJA » LAJME » Noka : Rama dhe Tahiri tregëtarë të drogës dhe armëve

Noka : Rama dhe Tahiri tregëtarë të drogës dhe armëve

Partia Demokratike, akuzoi të hënë kryeministrin Rama dhe ministrin e brendshëm Tahiri, si të implikuar në trafikun e drogës dhe të armëve nga Shqipëria në drejtim të Europës. Ish ministri i brendshëm, aktualisht deputeti i PD Flamur Noka, në një dalje para mediave bëri të ditur se të hënën në Bari, janë kapur sasi të mëdha me drogë, me armë dhe me eksplozivë që sipas tij kishin kaluar nga pikat e kontrollit kufitar nga Shqipëria. “Bandat dhe trafikantët e Tahirit dhe Ramës, derisa kanë mbuluar vendin me drogë, derisa kanë këtë licensë për veprimtari kriminale, pse mos t’i shtojnë edhe trafikun e armëve? Ata rrisin fitimet. Rritet dhe pjesa e Tahirit dhe e Ramës, rritet 30 përqindëshi i tyre” tha zoti Noka. “Ndërsa vendi po zhytet çdo ditë në pasiguri, në një republikë të dështuar të sunduar nga krimi, Rama dërdëllet e jep leksione për sigurinë në asamblenë e NATO-s” shtoi deputeti i PD. Ai kujtoi se “40 ditë më parë, në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i kam kërkuar zyrtarisht Edi Ramës të nisë monitorimin nga ajri të territorit, pasi të dhënat flasin për pesëfishim të parcelave të mbjella me kanabis. Dhe i kam kërkuar të bëjë publike të dhënat e monitorimit. Ai nuk përgjigjet. Situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi tashmë pjesë e trafikut të paligjshëm, të biznesit kriminal të drogës janë bërë dhe armët” tha ish ministri i brendshëm Flamur Noka.