KRYEFAQJA » LAJME » Normalizohet situata në Plazhin e Durrësit
Normalizohet situata në Plazhin e Durrësit

Normalizohet situata në Plazhin e Durrësit

Një ditë pas situatës së rëndë ekologjike në bregdetin e plazhit “Iliria” në Durrës, vija bregdetare është e  pastër. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili inspektoi të dielën zonën e ndotur nga hidrokarburet tha se gjithcka është e pastër falë punës së shkëlqyer të forcave të armatosura dhe ndërmarrjes komunale. “Bregdeti ranor i Durrësit është totalisht i pastër, ndërsa përsa i përket detit, forcat ajrore kanë bërë monitorimin e vazhdueshëm dhe kanë dalë në konkluzion që situata është pozitive” tha zoti Dako. “Ne jemi në gatishmëri dhe e njohim mjaft mirë situatën. Kjo është puna jonë normale ditore për pastrimin e vazhdueshëm të bregdetit jo vetëm në këtë rast ndotjeje, por edhe në të gjithë ditët e tjera” tha kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.
Komandanti i forcave detare, gjeneral brigade Ylber Dogjani, tha se është punuar intensivisht në bashkëpunim me pushtetin lokal për kthimin e gjendjes në normalitet. “Komanda e forcave detare ka vënë në funksion të pastrimit anijet patrulluese dhe anijen te specializuara si dhe 35 trupa ushtrie, ndërsa komanda e forcave ajorore ka vënë në dispozicion helikopter për monitorimin e vijës bregdetare të Durrësit” tha ushtaraku i lartë shqiptar.
Ndërkaq autoritetet e policisë po hetojnë rreth derdhjes së mundshme të një sasie të madhe hidrokarburesh nga anije ende të paidentifikuara dhe që u shtri në rreth 2.5 kilometra gjatësi mbi ujin dhe rërën e plazhit. Ministri i buqësisë Edmond Panariti nga na e tij urdhëroi pezullimin e aktiviteteve të peshkimit në zonën e ndotur deri në përfundimin e analizave laboratorike. Ekipe të Autoritetit të Ushqimit kanë marrë mostra të peshqve dhe molusqeve nga zona e ndotur dhe po kryejnë analiza.