KRYEFAQJA » LAJME » Novoselë, rritet niveli i Vjosës
Novoselë, rritet niveli i Vjosës

Novoselë, rritet niveli i Vjosës

Shtimi i prurjeve në lumin Vjosë, rrjedhojë e reshjeve të shumta të shiut të ditëve të fundit, ka rritur nivelin e ujrave veçanërisht në zonën e Novoselës, njofton ATSH. Gjatë orëve të mesditës të së dielës e në vazhdim, në urën e Mifolit, pjesë e aksit kombëtar rrugor Vlorë-Fier, niveli i ujrave arriti pothuajse në pikën kritike, me tendencën për t’u rritur më tej. Autoritetet vendore janë vënë në gatishmërie. Në vazhdimësi po vëzhgohet dinamika e prurjeve dhe niveli i ujrave përgjatë shtratit të lumit. Për momentin, gjendja është nën kontroll. Ndërpreja e reshjeve të shiut konsiderohet si një faktor pozitiv për situatën në vazhdimësi.
Një vit më parë, dalja nga shtrati e lumit Vjosë, shkaktoi përmbytje masive në këtë zonë. Me qindra hektarë tokë bujqësore u vunën nën pushtetin e ujrave për ditë me rradhë, ndërkohë që u përmbytën dhjetra shtëpi. Dëme u shkaktuan në kultura bujqësore dhe në blegtori, por fermerët dhe banorët e dëmtuar u dëmshpërblyen nga shteti në masën 100 përqind.