KRYEFAQJA » LAJME » Nxënësja nga Kosova e treta në botë për matematikë
Nxënësja nga Kosova e treta në botë për matematikë

Nxënësja nga Kosova e treta në botë për matematikë

Ministri i Arsimit i Kosovës, Arsim Bajrami, ka pritur sot në një takim pjesëmarrësit në Olimpiadën Botërore të Matematikës të mbajtur në Hon Kong, ku Doruntina Sylejmani morri vendin e tretë. Bajrami tha se Doruntina, dhe shembujt e nxënësve të ngjashëm, janë ambasadorët më të mirë të Kosovës.

“Këtu kemi nxënësit që janë ambasadorë të vërtet të Republikës së Kosovës sepse këta e kanë përfaqësuar Kosovën me shumë dinjitet duke treguar se ne kemi një rini inteligjente, kemi nxënës shumë të mirë dhe jemi shumë të kënaqur dhe krenar me ta. Ne kemi fituar medaljen e bronztë, medaljen tretë në mesin e 109 shteteve ku kanë marrë pjesë më shumë se 600 pjesëmarrës dhe Doruntina është ambasadori më i mirë i Kosovës sepse ka arritur me shumë dinjitet ta përfaqësoj Republikën e Kosovës, ta përfaqësojë sistemin arsimor dhe të tregojë se ne kemi fëmijë me inteligjencë të veçantë. MASHT në vazhdimësi do ti përkrahë këta nxënës, sidomos nxënësit që kanë inteligjencë në matematikë do t’i stimulojmë, sepse suksesi në fushën e matematikës tregon suksesin e përgjithshëm të sistemit arsimor”, tha Bajrami.

Ndërsa fituesja e medaljes së bronztë, Doruntina Sylejmani, nxënëse e klasës së 12-të, tha se kjo medalje për të është një shtysë që të punojë sa më shumë edhe në të ardhmen në këtë degë. Profesori Ramadan Limani, i cili ka qenë koordinator në garat e mbajtura edhe në Kosovë, tha se suksesi i këtij viti ka qënë më i madhi i regjistruar deri tani në këtë garë, që nga viti 2011 kur Kosova ka filluar të marrë pjesë.