KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama mbërrin në Kinë për të marr pjesë në samitin e G20-ës
EPA/ROLEX DELA PENA
EPA/ROLEX DELA PENA

Obama mbërrin në Kinë për të marr pjesë në samitin e G20-ës

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama ka mbërritur në Kinë, për të marrë pjesë në samitin e G20-ës. Ky udhëtim në Azi, është i fundit për të në cilësinë e presidentit. Obama ka arritur sot në qytetin Hangzhou, i cili është mikpritës i samitit të grupit të 20 ekonomive të industrializuara dhe në zhvillim. Ai pritet ta shfrytëzoje këtë udhëtim për të paraqitur punën e tij mbi ndryshimet klimatike. Në samit do të diskutohen temat si, rishqyrtimi i punimeve të ndërmarra në lidhje me qëllimet për zhvillim të fuqishëm, qëndrueshmëri të balancuar dhe gjithëpërfshirëse, përforcimin e tregtisë ndërkombëtare, paqja globale si dhe çështja e terrorizmit dhe kriza e refugjatëve të cilat ndikojnë në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik. Ndërkaq, në kuadër të mbledhjes së G20-ës që pritet të filloje nesër në Hangzhou, më shumë se dy milionë banorë të këtij qyteti në lindje të Kinës kanë ikur me pushime të financuara nga qeveria. Qeveria lokale urdhëroi një javë pushime dhe shpërndau kupona udhëtimi me një vlerë totale prej 1,1 miliardë dollarë. Rreth një e treta e popullsisë së qytetit është larguar para se të mbahet takimi i liderëve botërore. Është hera e parë që Kina pret një takim vjetor të G20-ës dhe Pekini kërkon që kjo të zhvillohet pa asnjë problem. Rrugët e qytetit jo vetëm që janë boshatisur nga njerëzit, por edhe nga automjetet, pasi qeveria ka ndaluar rreth gjysmën e mjeteve të transportit. Madje edhe prodhimi në sipërmarrjet në një rreze prej 300 kilometra rreth qytetit është ndërprerë, duke mundësuar një pastrim të atmosferës. Qeveria lokale ka rritur ndjeshëm edhe forcat e sigurisë, duke ngritur 172 pika kontrolli, duke mos lënë asnjë “zonë të errët” në rrugët e qytetit.