KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama do të takohet me Erdogan në Kinë
EPA/TOLGA BOZOGLU
EPA/TOLGA BOZOGLU

Obama do të takohet me Erdogan në Kinë

Presidenti amerikan Barak Obama do të takohet këtë javë me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan gjatë punimeve të samitit të liderëve të vendeve të G-20ës në Kinë. Sipas shtëpisë së Bardhë, dy presidentët pritet të diskutojnë përpjekjet në luftën kundër grupit terrrorist të Shtetit Islamik. Takimi Erdogan-Obama, i pari mes dy krerëve që pas tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, vjen mes diferencash në strategjinë kundër shtetit islamik. SHBA-të kanë dënuar sulmet ajrore turke ndaj grupeve opozitare në Siri, duke theksuar se këto sulme po sjellin shpërqëndrim nga lufta kundër ISIS. Sekretari amerikan i mbrojtjes Eshton Karter paralajmëroi dje forcat turke të mos avancojnë më në jug të qytetit sirian të Jarablus dhe të mos përplasen me forcat demokratike siriane, ndërsa sinjalizoi mbështetjen e SHBA-ve për avancimin turk drejt zonave të kontrolluara nga ISIS në perëndim të Jarablus. Takimi i Obamës me Erdogan është i fundit në një seri takimesh të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikane dhe atyre turq. Javën e shkuar, zëvëndëspresidenti Bajden vizitoi Turqinë personalisht. Sipas shtëpisë së Bardhë, gjatë takimit me Erdogan, Obama gjithashtu do të shprehë mbështetjen amerikane për Turqinë pas tentativës për grusht shteti. Pas kësaj ngjarjeje, dy vendet kanë patur fërkime në lidhje me klerikun Fetullah Gylen, pasi Ankaraja kërkon ekstradimin e tij nga Pensilvania, ndërsa administrata Obama kërkon prova konkrete që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në grushtin e shtetit.