KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama i bën thirrje demokratëve në SHBA të jenë të bashkuar
obama

Obama i bën thirrje demokratëve në SHBA të jenë të bashkuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë se shpreson se demokratët do të bëhen bashkë, pasi Hillari Klinton siguroi delegatët e nevojshëm për t’u emëruar kandidate për presidente. Rivali i saj partiak, Berni Sanders, ka premtuar se do të luftojë, pavarësisht presionit të figurave të Partisë Demokratike për t’u tërhequr nga gara. Obama nuk i ka bërë thirrje Sandersit të tërhiqet, por ka thënë se senatori i Vermontit e ka bërë Klintonin “kandidate më të mirë”. Duke folur për televizionin NBC, Obama ka thënë se gara nuk ka qenë e lehtë. “Mendoj se Berni Sanders ka sjellë energji dhe ide të reja. Ai e ka shtyrë dhe sfiduar partinë. Mendoj se e ka bërë Hillarin kandidate më të mirë. Shpresoj se gjatë javëve të ardhshme, do t’i bëjmë gjërat bashkë”, ka thënë Obama. Në kampin republikan, kandidat i pritur për president është Donald Trump. Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen në nëntor.