KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama: Klinton, zgjedhja absolute për Shtëpinë e Bardhë
obama-clinton

Obama: Klinton, zgjedhja absolute për Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Barack Obama e ka cilësuar Hillary Clintonin si kandidate jashtëzakonisht të kualifikuar për presidencën amerikane, duke thënë se kandidatura e Donald Trumpit nuk i afrohet asaj të Clintonit në garën për Shtëpinë e Bardhë. “Asnjëherë nuk ka pasur një burrë, apo grua, unë apo Bill Clinton, asnjë person që ka qenë i kualifikuar sa Hillary Clinton për të shërbyer si president i Shteteve të Bashkuara”, u ka thënë Obama delegatëve demokratë në Konventën e tyre në Filadelfia. Në një fjalim të mbushur me optimizëm, Obama ka folur për të ardhmen e ndritshme për vendin që Clinton do e sigurojë nëse fiton zgjedhjet e 8 nëntorit. Ai e ka quajtur Clintonin, e cila formalisht e ka pranuar nominimin një ditë më parë si “të aftë…dhe të gatshme të bëhet komandantja e përgjithshme” e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se historia e gjatë duke shërbyer në poste publike, përfshirë edhe atë të Sekretares së Shtetit dhe të Senatores, e ka bërë atë më të kualifikuar se të gjithë për Shtëpinë e Bardhë.“Asgjë nuk të përgatit mjaftueshëm për kërkesat që ekzistojnë në Zyrën Ovale”, ka thënë Obama.“Mund të lexosh për këtë. Mund të studiosh. Por, derisa ulesh në atë tavolinë, nuk e di se si është të menaxhosh një krizë globale apo të dërgosh të rinj në luftë. Hillary, megjithatë ka qenë në atë dhomë; ajo ka qenë pjesë e këtyre vendimeve.” Clitnon e ka elektrizuar sallën kur ka dalë në skenë që të përshëndetet me Obamën në përfundim të fjalimit të tij, duke e përqafuar presidentin në natën e tretë të konventës. Kësaj radhe përpos presidentit Obama, fjalime kanë mbajtur edhe zëvendëspresidenti, Joe Biden, ish kryetari i New Yorkut, Michael Bloomberg dhe kandidati për zëvendës president, Tim Kaine nga Virxhinia. Presidenti dhe të tjerët që mbajtën fjalime e kanë kritikuar ashpër Donald Trumpin, kandidatin republikan për president amerikan dhe biznesmenin e parë i cili asnjëherë nuk ka pasur post publik. Ata e kanë e quajtur atë si nxitës të frikës që bën premtime të thata dhe ka vizion të errët për vendin. Trump e ka komentuar tonin optimist të natës së tretë të Konventës, duke shkruar në Twitter se vendi po duket “i mrekullueshëm për miliona njerëz që jetojnë në varfëri, dhunë dhe dëshpërim.”