KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama në Gjermani, takime në turneun e lamtumirës
Obama në Gjermani, takime në turneun e lamtumirës

Obama në Gjermani, takime në turneun e lamtumirës

Presidenti amerikan, Barak Obama zhvillon të enjten takimin e tij të fundit dypalësh me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në kryeqytetin gjerman, ndalesa e fundit në Evropë, e turneut të tij të lamtumirës para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar. Marrëdhëniet mes Obamës dhe Merkelit, tetë vjet pasi ai erdhi në pushtet dhe 11 vjet pas ardhjes së saj në detyrë, kanë qenë të karakterizuara në pjesën më të madhe nga vlerësimi i ndërsjelltë, pavarësisht publikimit të një afere spiunazhi që shkaktoi disa mosmarrëveshje në vitin 2013. Para se të largohej nga Uashingtoni për turneun në Evropë, Obama iu referua Merkelit si “partnerja më e afërt ndërkombëtare në tetë vitet e fundit”. Obama mbërriti në Gjermani mbrëmjen e së mërkurës pas takimit me udhëheqësit grekë, ku vizitoi Akropolin e famshëm dhe mbajti një fjalim ku u shpreh se “reduktimi i pabarazisë në botën e globalizuar është çelësi për ruajtjen e sistemeve demokratike”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është planifikuar të qëndrojë në Gjermani deri të premten, ku pritet të takohet me liderët evropiane, duke përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministren britanike, Teresa Mei, presidentin francez, Fransua Holond, kryeministrin spanjoll, Mariano Rahoj dhe kryeministrin italian, Mateo Renzi. Ai pritet që t’i sigurojë ata pas fitores së papritur të zgjedhjeve presidenciale nga miliarderi, Donald Trump dhe të shprehë mbështetjen e vendit të tij për një Evropë të fortë, të integruar dhe të bashkuar.