KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama në Kubë: Të hiqet embargoja 54-vjeçare
obama kube fjalim embargo raul kastro

Obama në Kubë: Të hiqet embargoja 54-vjeçare

Presidenti Barak Obama ka kërkuar një të ardhme me shpresë për Kubën në një fjalim televiziv të mbajtur në Teatrin e Madh të Havanës këtë të martë. Obama u shpreh se qëllimi i vizitës së tij në Kubë ishte varrosja e mbetjeve të fundit të Luftës së Ftohtë. “Është koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kuba të lënë prapa të shkuarën, dhe si miq dhe fqinjë, të fillojnë bashkë udhëtimin e tyre drejt një të ardhmeje më të ndritur”, u shpreh presidenti Amerikan. Ai gjithashtu iu drejtua presidentit kubanez Raul Kastro, duke theksuar se nuk duhet të kishte frikë nga ndonjë kërcënim amerikan, por gjithashtu nuk duhet të kishte frikë as nga zëri i popullit kubanez. Sipas Obamës, qytetarët duhet të jenë të lirë t’u japin zë mendimeve të tyre pa patur frikë. Presidenti amerikan u kërkoi kubanezëve të lënë betejat ideologjike të së shkuarës, dhe ta përkufizojnë veten si kubanezë dhe jo si kundërshtarë të SHBA-ve. Obama gjithashtu bëri thirrje për dhënien fund embargos 54-vjeçare që SHBA-të kanë vendosur ndaj Kubës, e cila mund të hiqet vetëm nga Kongresi amerikan. Në fjalimin për popullin kubanez, presidenti amerikan këmbënguli që Shtetet e Bashkuara të Amerikes do të respektonin diferencat mes dy kombeve dhe nuk do të tentonin të impononin ndryshime në ishullin e drejtuar nga komunistët.