KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama në udhëtimin e fundit si president
obama-ne-udhetimin-e-fundit-si-president

Obama në udhëtimin e fundit si president

Udhëtimi i fundit në detyrë i presidentit Barack Obama, vjen në një moment zhgënjyes për të, pas fitores së befasishme të republikanit Donald Trump, premtimet e së cilit për të përmbysur disa nga përparësitë e Obamas, kanë ngjallur shqetësime në shumë pjesë të botës. Zëvendës këshilltari për Sigurinë Kombëtare Ben Rods informoi gazetarët për udhëtimin e Obamas permes një telekonference. Rods e pranoi se fitorja e papritur e zotit Trump dhe ndikimi në marrëdhëniet dypalëshe dhe në marrëveshjet ndërkombëtare, ka gjasa të jetë çështja kryesore që duan të diskutojnë udhëheqësit botërorë. Presidenti Obama shkon fillimisht në Greqi, dhe do të mbajë një fjalim në Athinë për sfidat që paraqet globalizimi. Më pas, Obama niset për në Gjermani, ku do të mbajë një takim dypalësh me kancelaren Angela Merkel dhe një konferencë të përbashkët shtypi të enjten. Ai do të takohet edhe me udhëheqës të Britanisë dhe Francës në Berlin. Që atje, Presidenti Obama shkon në Lima të Perusë, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit. Në kuadër të takimit, Obama do të ketë takime dypalëshe me Presidentin kinez, të shtunën dhe me kryeministrin Australian, Malcolm Tërnbull të dielën.