KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Obama nis vizitën historike në Kubë duke thënë “Po, ne e kryem”
Obama nis vizitën historike në Kubë duke thënë “Po, ne e kryem”

Obama nis vizitën historike në Kubë duke thënë “Po, ne e kryem”

Presidenti Barak Obama ka filluar vizitën e tij historike në Kubë, e para e një kreu shteti amerikan në ishullin komunist që nga viti 1928. Kjo vizitë vlerësohet se hap një kapitull të ri në angazhimin e SHBA-ve me qeverinë kubaneze pas dekadash armiqësie mes tyre. Udhëtimi treditor, shënon kulmin e hapjes diplomatike që vete Obama si dhe presidenti Raul Kastro njoftuan në dhjetor të vitit 2014, duke i dhënë fund distancës mes dy vendeve që filloi kur revolucioni kubanez rrëzoi nga pushteti qeverinë proamerikane në vitin 1959. Presidenti amerikan u prit në aeroport nga ministri i jashtem kubanez, por ceremonia zyrtare e pritjes do të zhvillohet këtë të hënë, kur Obama do të takohet me Raul Kastron në pallatin presidencial. Pas nisjes nga aeroporti, Obama dhe familja e tij vizituan pjesën e vjetër të qytetit për t’u takuar me pas me stafin e ambasadës amerikane e cila është hapur se fundmi. “Kur presidenti Obama bënte fushatën për presidencën e tij, ai shpesh përdorte shprehjen “Po, ne mundemi. Si shumë çështje të tjera me të cilat është përballur gjatë presidencës së tij, ai mund të thotë tani, ne mund të themi tani “Po, ne e kryem”, u shpreh ambasadori Xhefri De Laurentis gjatë takimit me stafin e ambasadës. “Po, ne e kryem”, e ndërpreu Obama ambasadorin. “Për të parën herë për më shumë se gjysëm shekulli, flamuri amerikan valëvitet mbi një ambasadë të rihapur amerikane. Fakti që kemi një ambasadë tonën këtu, do të thotë që do të mund të avancojmë në mënyre efektive përsa i përket interesave tona, vlerave tona si dhe të kuptojmë popullin kubanez dhe shqetësimet e tyre”, theksoi presidenti Obama.