KRYEFAQJA » LAJME » Bota » OKB: Alepo në Siri rrezikon të bëhet një “varrezë gjigante”

OKB: Alepo në Siri rrezikon të bëhet një “varrezë gjigante”

Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara Stefen O’Brien, u bëri thirrje vendeve me ndikim që të bëjnë gjithka kanë në dorë që të mbrojnë civilët në Aleppon lindore dhe të shpëtojnë qytetin, që dikur ishte më i madhi në Siri, të mos shndërrohet në “varrezë gjigante”. O’Brien, tha në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se mbi 25 mijë njerëz janë zhvendosur nga zona lindore e Aleppos së kontrolluar nga kryengritësit që nga e shtuna, por numrat po ndryshojnë “çdo orë e çdo ditë”. “Mijëra të tjerë do të ikin nëse luftimet zgjerohen dhe intensifikohen gjatë ditëve të ardhshme”, tha ai nëpërmjet një video lidhjeje nga Londra. Derisa vëmendja e botës është përqendruar në mbi 250 mijë civilë të bllokuar në Aleppon lindore, O’Brien nënvizoi se janë 700 mijë të tjerë nën rrethim nëpër zona të tjera ne gjithë Sirinë. O’Brien i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të tejkalojë ndarjet rreth Sirisë, të “ndalojë brutalitetin dhe të parandalojë mundësinë që një fat i tillë të godasë sirianët tjerë”. Ai tha se tri gjera janë thelbësore: mbrojtja e civilëve, qasja e papenguar dhe e sigurtë për punonjësit humanitarë dhe përfundimi i rrethimit. Britania dhe Franca thirrën takimin emergjent. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara i kritikoi ata duke thënë se janë të shqetësuar, meqë kryengritësit e mbështetur prej tyre janë duke humbur.