KRYEFAQJA » LAJME » OKB e alarmuar nga viktimat e konfliktit në Afganistan
OKB e alarmuar nga viktimat e konfliktit në Afganistan

OKB e alarmuar nga viktimat e konfliktit në Afganistan

388 fëmijë kanë humbur jetën në Afganistan gjatë gjysmës së parë të këtij viti, duke shënuar kështu edhe shifrën më të madhe të vdekjeve të minorenëve në këtë vend që nga viti 2009. Një raport i OKB-së e konsideron këtë bilanc alarmues dhe të turpshëm, ndërsa autorët e tij u shprehën se historia do të gjykonte liderët e të gjithë palëve të përfshira në konfliktin që ka shkaktuar një total prej 1601 civilësh të vrarë nga janari deri në qershor të këtij viti. 130 prej viktimave ishin gra.  Sipas raporti, 3565 civilë u plagosën gjatë së njëjtës periudhë, mes të cilëve 1121 femijë dhe 377 gra. 157 987 afganë u larguan nga vendi i tyre gjatë këtij viti, duke e çuar numrin e të larguarve në 1.2 milionë persona.  Ndërkohë, ky bilanc vijon të rritet dita ditës, pasi vetëm të shtunën e shkuar, rreth 80 persona humbën jetën nga një shpërthim në Kabul. Komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Zeid Raad Al Husein tha që stafi që u përfshi në përpilimin e raportit ka dëgjuar më shumë se 5 mijë histori nga familjet e goditura nga dhuna në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Një e treta e këtyre historive kishin lidhje me vrasjet apo gjymtimin e fëmijëve. Elementet anti-qeveritare, mes të cilëve grupet rivale militantët, talebanët dhe shteti islamik konsiderohen si përgjegjës për 60 për qind të tragjedive. Por 23 përqind e tyre janë shkaktuar nga forcat proqeveritare. Raporti gjithashtu dokumenton shkelje të rënda dhe abuzime të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe shënjestrimin e grave në sferën publike, përdorimi i fëmijëve në konfliktet e armatosura, dhunë seksuale kundrejt djemve dhe vajzave, sulmet ndaj godinave arsimore dhe shëndetësore, rrëmbime personash, dhe ekzekutime. Në disa raste, aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, avokatët dhe gjykatësit kanë qenë shënjestër e sulmeve të talebanëve.