KRYEFAQJA » LAJME » Bota » OKB: Mbroni qendrat spitalore në zonat e konflikteve

OKB: Mbroni qendrat spitalore në zonat e konflikteve

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar unanimisht një rezolutë e cila kërkon nga të gjitha palët e përfshira në konflikte të mbrojnë qendrat mjekësore dhe stafin që merret me trajtimin e të plagosurve dhe sëmurëve. Kjo rezolutë, e cila vjen në kohën e sulmeve vdekjeprurëse në spitalet në Siri, Afganistan, dhe në zona të tjera të konfliktit, u bën thirrje të gjitha vendeve që t’i sjellin para drejtësisë ata që janë përgjegjës për sulmet, gjë që ndodh shumë rrallë. Sipas ligjit ndërkombëtar, çfarëdo sulmi i qëllimshëm kundër spitaleve dhe vendeve ku bëhet mbledhja e të plagosurve, konsiderohet si krim lufte. Pavarësisht tabuve, javën e kaluar një spital me rëndësi në qytetin sirian të Aleppos u bombardua, duke vrarë më shumë se 50 njerëz, përfshirë edhe mjekun pediatër të vetëm në qytet. Një spital i lindjeve dhe qendra të tjera mjekësore në Aleppo gjithashtu janë bombarduar gjatë ditëve të fundit.