KRYEFAQJA » LAJME » “Fluturimi i lirë”, 14 persona në pranga
“Fluturimi i lirë”, 14 persona në pranga

“Fluturimi i lirë”, 14 persona në pranga

14 persona të arrestuar dhe 120 kilogramë marjihuanë e kapur, është bilanci i një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe asaj italiane, kundër një rrjeti të trafikut të drogës. Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa operacioni me emrin e koduar “Fluturimi i lirë”, ka përfunduar njëkohësisht në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Shqipëri dhe Itali. 6 persona janë ndaluar në Shqipëri dhe 8 në Itali. Të ndaluarit shumica pjestarë të katër familjeve shqiptare bënin pjesë në një rrjet që prej fillimit të këtij viti trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Koka e rrjetit duket se është shtetasi Vilson Lamaj, i cili përmes përdorimit të një avioni të vogël kryente trafikun. Por policia njoftoi se ka arrestuar edhe një zyrtar të lartë të policisë së Vlorës, Shefin e Sektorit të Burimeve Njerëzore.
Kjo është ngjarja e dytë e bujshme kur trafiku i drogës midis dy anëve të Adriatikut kryhet nga ajri. Në maj të vitit të kaluar, në plazhin e Divjakës u rrëzua një avion sportiv. Avioni që drejtohej nga një shtetas italian, dyshohej se kryente trafik droge midis dy vendeve. Ngjarja tërhoqi vemendjen e publikut, por më shumë të politikës. Opozita e djathtë akuzoi qeverinë e majtë të kryeministrit Rama se kish riorganizuar trafiqet e drogës, por zoti Rama i hodhi poshtë akuzat. Ndërkaq më shumë se një vit nga ngjarja, procesi gjyqësor sapo ka filluar, por gjithçka duket jashtë interesit. Të akuzuar janë katër persona, midis tyre edhe piloti italian.